Janë lënë në burg 5 rojet bregdetare të akuzuar për shpërdorim detyre pasi ndihmuan të arratisej një prej skafistëve që po transportonte 55 klandestinë drejt Italisë.
Mësohet e Gjykata e Vlorës ka caktuar arrest me burg për 5 rojet bregdetare që ndihmuan një prej skafistëve Emiljano Likaj 26-vjeç që po transportonte 55 klandestinë.
Në burg janë lënë Sejfulla Beja dhe Ardit Alikaj, Bledar Bufaj, Roland Çani e Besmir Meçe.
Të akuzuarit e mohojnë akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa njëri prej tyre Sejfulla Bejaj e quan veten hero, duke thënë se ka shpëtuar 55 jetë njerëzish duke shmangur një tragjedi që mund të ndodhte. Ata theksojnë se janë të pafajshëm dhe besojnë se e vërteta do të dalë.
Ngjarja e plotë:
5 roje bregdetare janë vënë në pranga nga autoritetet me akuzën për “Shpërdorim detyre” pasi ndihmuan të arratisej një prej skafistëve që po transportonte 55 klandestinë, kryesisht sirianë drejt Italisë më 8 janar të këtij viti.
Bëhet fjalë për skafistin 26-vjeçar Emiljano Likaj, skafi i të cilit u fundos në grykëderdhje të Vjosës, duke rrezikuar që të mbyteshin sirianët. Likaj është arrestuar disa ditë më vonë, në ambientet e një lokali në zonën e Lungomares. Kanë qenë dëshmitë e vetë klandestinëve që çuan në identifikimin dhe më pas në arrestimin e tij.
Policia e Vlorës ka njoftuar sot se në kuadër të këtij operacioni janë vënë në pranga, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, kryer në bashkëpunim, 5 shtetas të shpallur në kërkim, me detyrë roje bregdetare. /albeu.com/