Formimi i studentëve për sa i përket njohurive dhe vetëbesimit për CPR (reanimimi kardiopulmonar – masazhimi gjatë arrestit kardiak), menaxhimin e epilepsisë dhe aftësitë bazë të ndihmës së parë, janë thelbësore për formimin e tyre, si një aftësi e nevojshme për gjatë gjithë jetës.
Këto ishin temat në fokus të trajnimit të studentëve të Western Balkans University nga vullnetarë të Kryqit të Kuq për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive urgjencave mjekësore.
Reanimimi kardiopulmonar (CPR) është një aspekt kryesor i trajnimit për situata kritike të arrestit kardiak, për të cilin studentët e WBU u udhëzuan përmes teknikave të duhura për kryerjen e shtypjeve në gjoks dhe frymëmarrjes shpëtimtare tek foshnjat, fëmijët dhe të rriturit.
Pas informacionit dhe demonstrimit të detajuar studentët njihen me protokollin e veprimeve në rastet e epilepsisë, një çrregullim neurologjik i karakterizuar nga kriza të përsëritura. Vullnetarët dhanë udhëzime se si të ofrojnë mbështetje për individët që përjetojnë një episod të ngjashëm.
Ajo që e veçon këtë lloj trajnimi është qasja e tij interaktive dhe praktike. Nëpërmjet demonstrimeve, ushtrimeve me role, skenarëve, studentët arrijnë të zbatojnë njohuritë teorike në situata praktike. Ky mësim nga përvoja jo vetëm që përforcon konceptet kryesore, por gjithashtu krijon një ndjenjë gatishmërie dhe besimi te pjesëmarrësit.
Ndikimi i këtij trajnimi shtrihet shumë përtej nivelit individual. Duke fuqizuar aftësitë, studentët nxiten për të shpëtuar jetë. Ata nxiten drejt një kulture jetëshpëtuese që i fal më shumë siguri komunitetin, por edhe vetë studentëve dhe stafit të Universitetit Western Balkans. Studentët bëhen më të përgatitur për t’iu përgjigjur urgjencave vetë, dhe pajisen për të mbështetur dhe ndihmuar të tjerët në rast nevoje.
Trajnimi i Ndihmës së Parë i ofruar për studentët është një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një komuniteti më të sigurt. Nëpërmjet përkushtimit dhe ekspertizës së tyre, këta vullnetarë jo vetëm që po japin aftësi thelbësore për shpëtimin e jetës, por gjithashtu rrënjosin një ndjenjë përgjegjësie dhe gatishmërie tek brezi i ardhshëm i udhëheqësve dhe qytetarëve.