Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka folur për mediet pas një takimi që pati me homologen gjermane Annalena Baerbock në Tiranë.
Në Tiranë u mbaj sot takimi i ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlini.
Gërvalla tha për mediet se “masa më e shpejtë është ngrirja e statusit kandidat në BE për Serbinë”.
Ajo theksoi se së pari duhet të ketë ndëshkim për Serbinë nga ana e ndërkombëtarëve dhe më pas dialog.
Gërvalla deklaroi se e rëndësishme është siguria e qytetarëve të Kosovës.
“Gjermania është një nga mbështetësit kryesorë të Kosovës. SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar, shumë shtete të BE-së janë të shqetësuara për ngjarjet në Kosovë, sulmin në Veri, i cili po të mos ishte ndalur, sot do të kishim territor të pushtuar dhe biseda të tjera. Është e rëndësishme të kuptohet mesazhi dhe të merren të gjitha masat që një gjë e tillë të mos përsëritet as në Kosovë dhe as vendet e tjera që kanë probleme me Serbinë, e cila sillet si një mini Rusi e vogël dhe mendon se ato vende nuk kanë të drejtat e tyre. Prioritet i institucioneve të Kosovës këto ditë është siguria. Ne duhet të sigurohemi që armët e sekuestruara janë pjesa më e madhe e armëve të futura. Për sigurinë kemi nevojë për partnerët dhe miqtë tanë. Si do vazhdojë procesi, natyrisht që zgjidhja do jetë nga dialogu, por cili do jetë momenti, varet nga bashkësia ndërkombëtare. Nëse e lënë pa ndëshkim, ne e shohim të pamundur dialogun. Duhet të ketë prioritet siguria. Dialogu nuk duhet të jetë sa për foto dhe shkëmbyer mendime, por të premtojë sukses. Me një partner dialogu i cili bën sikur ulet me ty për të diskutuar dhe në anën tjetër ngre kampe ushtarake, është e vështirë”, deklaroi Gërvalla.
Ajo theksoi se që të kemi sukses në këtë proces, duhet që procesi i dialogut të premtojë.
“Kosova është pala e vetme që kërkon me ngulm implementimin e asaj marrëveshjeje. Ne i kemi kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të vendosë sanksione ndaj Serbisë. Është e qartë se pa sanksione nuk ka për ta mësuar mësimin. Dhe qytetarët e Serbisë do ta kenë të vështirë për ta ngritur zërin ndaj vendit të tyre që sillet në mënyrë agresive ndaj fqinjëve”, tha ministrja e Jashtme e Kosovës./Albeu.com