Ndeshja që vendosi titullin e trukuar? Ish-mbrojtësi i AEK tregon gjithçka (FOTO LAJM)

E mbani mend ndeshjen e famshme mes PAOK dhe AEK në vitin 2018 që do të vendoste për titullin kampion?

Nëse ende kujtesa nuk iu sjell gjë ndërmend, me siguri që mënyra sesi hyri presidenti i PAOK, Ivan Savidis në fushën e lojës, do t’ua bëj më të qartë idenë. E për të shkaktuar tërmet të madh në Greqi ka menduar mbrojtësi serb që asokohe luante me AEK, Ognjen Vranjes. Një futbollist që gjithmonë di të hap skandale me veprimet e tij, por këtë herë e bën me deklaratën e dhënë.

Në një intervistë për “Kurir”, Vranjes është shprehur se përpos ndeshjeve të dyshimta dhe që mund të jenë të trukuara në Greqi, ka pasur një tentativë serioze për të manipuluar përballjen e famshme mes PAOK dhe AEK. Më poshtë mund të gjeni edhe intervistën që po shkakton tërmet në Greqi.

A keni luajtur ndonjëherë në një ndeshje që ka rezultuar e manipuluar?

“Nuk mund të konfirmoj që kam luajtur në një ndeshje të manipuluar, thjesht nuk e di. Kishte zëra, ndërsa unë po luaja në Greqi, se shumë ndeshje ishin të diskutueshme, por unë nuk isha i përfshirë në këto gjëra. Unë jam kundër këtyre të mafies së futbollit”.

A ju kanë ofruar ndonjëherë diçka për të marrë pjesë në një trukim?

“Unë kisha një përvojë të tillë ndërsa luaja për AEK. Isha ulur në shtëpi një natë kur bie telefoni. Ishte një agjent futbolli nga Serbia. Ai u përpoq të trukonte një ndeshje që të gjithë e dinë mirë. Ishte një ndeshje në të cilën presidenti i PAOK Ivan Savvidis nxori një arm.ë. Ishte një ndeshje për titullin e kampionatit grek midis PAOK dhe AEK. Ai u përpoq të më kërcënonte. Unë nuk isha dakord dhe e informova klubin për atë që ndodhi. Njerëzit e ekipit tim reaguan”.

A ju ofroi menaxheri diçka të veçantë? Si do ta trukoje?

“Ai u përpoq në çdo mënyrë. Filloi me një bisedë të këndshme dhe pastaj filloi të kanoste se njerëzit e tij do të shkonin në Selanik për të më gjetur. Unë i thashë që të vinte dhe do të shihnim se çfarë do të ndodhte.”

A keni qenë i frikësuar?

“Unë kurrë nuk u frikësova, sepse e di kush është presidenti i ekipit tim. Vetëm ata do të humbnin, jo unë”.


Shtuar 8.04.2021 06:04