NATO, e gatshme të garantojë sigurinë në Ballkan

Në kohën kur NATO dhe Bashkimi Evropian janë bashkuar për të dënuar pushtimin rus në Ukrainë, pjesëtarë të aleancës kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm të vazhdojnë të luajnë rol për të mbështetur paqen dhe sigurinë afatgjate në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Politika e NATO-s në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor ka qenë konsistente gjatë tërë kohës. Dhe kjo mbetet edhe tani. NATO mbetet tërësisht e përkushtuar që të luajë rolin e vet në mbështetje të sigurisë afatgjate përgjatë Ballkanit Perëndimor”, ka thënë një zyrtar i NATO-s, kur është pyetur nëse aleanca do të rrisë praninë në rajon për të parandaluar ndonjë destabilizim eventual të situatës.

NATO në Kosovë ka një mision ushtarak përmes KFOR-it në të cilin marrin pjesë edhe trupa nga vendet partnere që nuk janë anëtare të aleancës.

Ndërhyrja e NATO-s, përkatësisht dislokimi i trupave paqeruajtëse të KFOR-it më 12 qershor, 1999, ka pasuar fushatën e sulmeve ajrore të aleancës veriatlantike kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi, që ka zgjatur 78 ditë./REL


Shtuar 24.02.2022 15:45