Kjo verë nuk do të jetë e nxehtë vetëm për merkaton e futbollistëve në Serinë A, por edhe për atë të trajnerëve, pasi janë të shumtë ata që presin rinovimin me skuadrat e elitës, apo përmirësimin e kontratave që kanë. Një prej tyre është Simone Inzagi, për të cilin është hapur një skenar i rëndësishëm ndërsa Lacio po heziton që t’i rinovojë marrëveshjen.
Sipas mediave italiane, për të interesohet konkretisht me një ofertë të rëndësishme, klubi i Napolit. Presidenti De Laurentis pëlqen punën e teknikut te lacialët e për këtë arsye, i ka bërë atij një propozim shumë të kënaqshëm edhe në aspektin financiar, 4 milionë euro në vit. Inzagi nuk i ka kthyer përgjigje, pasi për të prioritet mbetet Lacio, edhe pse klubi italian po vonohet për t’i vënë në tavolinë kontratën e re.
Tare ka diskutuar prej kohësh kushtet e marrëveshjes dhe ka bindur Lotiton që t’i ofrojë trajnerit një rrogë prej 2,5 milionë eurosh në vit, por me bonuse shumë të rëndësishme sa i përket kualifikimit në Ligën e Kampioneve dhe trofeve që mund të fitojë klubi.