Nafta shqiptare, vdekja e ngadaltë e një industrie gjigante

Nga Adi Darsi

Një mal me hekurishte që vlejnë 9 milion euro! Ky është fundi i “yllit” të industrisë së përpunimit të naftës shqiptare, Rafinerisë së Ballshit, dikur i quajtur Kombinati Përpunimit të Thellë të Naftës. Pronari më i fundit që i mbeti në dorë pasuria dikur e vyer, Banka Credins, pas negociatave të shumta që synonin kthimin në punë të rafinerise, pasi kishte vënë për të një çmim 25 milionë euro, dështoi disa herë. Rivënia në punë kërkonte e pakta 50 milionë euro të tjera. Askush nuk pranoi. Por pati një blerës! Kompania shqiptare, Shijaku.shpk, e mori për 9 milionë euro, por me tjetër synim: çmontimin e linjave. Fundi është i ditur, do të shkojë në Elbasan për skrap. Ashtu si edhe shumica e rafinerive të tjera të kohës së socializmit. Kuçova, Cërriku, e në fund Ballshi janë stacionet nëpër të cilat kaloi kjo vdekje graduale. Po si erdhëm deri këtu? Është një rrugë që ja vlen të kthesh kokën pas për ta parë.

“Nafta çan bllokadën”

Lajmi se në Shqipëri ishte zbuluar naftë ishte aq tronditës për kohën, saqë në Rumani pati protesta, me pretendimin se shpimi i puseve shqiptare mund të shteronte naftën atje! Ishin vitet 1920 kohë kur italianët dy vjet më herët e kishin shpuar pusin e parë në Drashovicë. Në fakt fqinjët e përtej detit, shumë të vëmendshëm për burimet tona natyrore, i kishin filluar kërkimet, duke dërguar shkencëtarët dhe gjeologët e tyre që në vitet 1903-1913.

Pas 1920 e gjithë historia politike e vendit gërshetohet pazgjidhshmërisht me atë të naftës. Lufta e Vlorës, ngritja e Zogut në pushtet, rikthimi i tij pas revolucionit të qershorit 1924, marrëdhëniet me italianët kanë në prapaskenë këtë burim natyror. Pas konfirmimit të burimeve naftëmbajtëse, qeveritë dhe shoqëritë më të njohura nga Anglia, Franca, SHBA dhe Italia u përfshinë në një beteje të gjatë diplomatike për koncesionet shqiptare të naftës.

Lufta e padukshme për naftën shqiptare u mbyll më 1930, italianët e futën në dorë përfundimisht atë, ashtu si do të bënin me të gjithë Shqipërinë nëntë vjet më vonë. E mirënjohura për kohën kompania AIPA më 1930 nisi kërkimet dhe më 1934 shfrytëzimin e burimeve në Kuçovë. Kulmi i shfrytëzimit u arrit më 1941, vit në të cilin ata nxorrën nga nëntoka shqiptare 148 mijë  ton naftë bruto.

Ari i zi shqiptar nuk do të ishte as jashtë vëmendjes së pushtuesve gjermanë, por koha e shkurtër e pushtimit nuk solli ndonjë rezultat. Ardhja e qeverive komuniste pas 1945 bashkë me konfiskimin  e  pasurive private sigurisht që përfshiu edhe shoqëritë italiane të naftës. Në pak vite komunistët shqiptarë do ta zhvendosin disa herë pikën e gravitetit të shfrytëzimit të naftës në varësi të zbulimeve të reja.

Për ta nafta ishte burimi që “çante bllokadën”, ndaj shfrytëzimi shkoi në shifra shumë të larta. Rekordi u arrit më 1974, vit në të cilin nga nëntoka shqiptare u nxorën plot 2,248,227 ton naftë bruto.

Kuçova, pikënisja e industrisë shqiptare të naftës

Naftën shqiptare të parët e shfrytëzuan italianët. Natyrisht që dhe industrinë e naftës në Shqipëri po italianët e ngritën. Përveç sasive të mëdha që dërgonin për ta përpunuar në Itali, ata nisën të prodhonin në Kuçovë benzinë, vajguri për ndriçim dhe gaz natyror. Në marrëveshjen e koncesionit AIPA ishte e detyruar të ndërtonte impiantet e përpunimit të naftës në vend, nëse prodhimi do të kalonte mbi 50 mijë ton në vit. Kështu një impiant i thjeshtë u ngrit që më 1934, për tu kthyer në një distileri nafte më 1940. Katër vjet më vonë më 1944, po në Kuçovë, pushtuesit gjermanë vendosën edhe një distileri të dytë me kapacitet përpunues deri në 20 ton në ditë. Por fati i saj qe jetëshkurtër pasi shumë pak kohë pas vënies në punë u shkatërrua nga bombardimet e aviacionit anglez.

Nevojat për lëndë djegëse bënë që edhe komunistët e sapoardhur në pushtet të kishin në qendër të vëmendjes Kuçovën. Me ndihmën italianëve të mbetur në Shqipëri, në janar 1945 atje ngrihet një distileri e dytë me kapacitet 40 ton në ditë dhe një vit më pas në dhjetor 1946 distileria e tretë me kapacitet 180 ton në ditë. Më pas të treja distileritë së bashku e morën emrin Uzina e Përpunimit të Naftës Kuçovë.

Më 1957 rafineria e naftës në Kuçovë mori pamjen e saj të vërtetë pas përmirësimeve teknologjike që u bënë atje me ndihmën e specialistëve rusë të cilët e çuan kapacitetin përpunues në 200 mijë ton në vit. Aq të ndjeshme qenë këto ndërhyrje saqë edhe vetë qyteza e ndërroi emrin nga Kuçovë në Qyteti Stalin, emër që do të mbajë deri në vitet 90.

Atje u bë e mundur të prodhohej benzinë e pastër sipas standarteve të kohës, vajguri për ndriçim dhe për lëndë djegëse për motorrët reaktivë të avionëve, gasoil për automjete, solar si lëndë djegëse dhe si lëndë e parë për prodhimin e grasos, vajra lubrifikantë të tipeve të ndryshme, mazut si lëndë djegëse dhe bitum i tipeve te ndryshëm.

Kapaciteti i rafinerisë në vitin 1972 arriti në 500 mijë ton në vit. Sipas statistikave të kohës gjatë viteve të punës të saj rafineria ka përpunuar më shumë se 10 milion ton naftë. Pas 1990 kapaciteti i rafinerisë erdhi në rënie dhe në vitin 1994 ajo ndaloi përfundimisht së punuari. Në pak vite më pas, hapësira u kthye në një zonë informale, hekurishtet shkuan për skrap.

Cërriku, poli i dytë industrial i naftës

Rusët nuk do të përqëndroheshin vetëm në Qytetin Stalin. Më 1951, me financim dhe në bashkëpunim me to në Cërrik nisi ndërtimi i një rafinerie të dytë, e cila u vu në shfrytëzim në vitin 1956. Fillimisht kapaciteti përpunues i naftës bruto atje ishte 800 ton në ditë.

Nafta sillej me një tubacion 30 km të gjatë që nga burimet e Kuçovës. Me vijimin e investimeve më 1961 bëhet edhe një rikonstruksioni i dytë i rafinerisë duke e dyfishuar aftësinë përpunuese të saj në 1500 ton në ditë.

Kështu u bë e mundur që atje të përpunoheshin deri në 500 mijë ton naftë bruto në vit. Prej tyre nxirreshin benzinë, gazoil, vajguri ndriçues, lëndë djegëse, bitum i markave të ndryshme etj. Në vitin 1962 filloi edhe prodhimi i vajrave lubrifikantë si edhe karburanti për aeroplanët MIG.

Por kapaciteti përpunues që në fund të viteve 70 filloi rënien e pandalur deri më 1992, vit kur rafineria e  ndërpreu prodhimin për të mos u vënë më kurrë në shfrytëzim. Me shpresën për ta ringjallur në maj 2013, ajo iu dha me konçension shoqërisë Kurum e cila premtoi ta kthente në punë pas një investimi 48 milion euro. Kjo nuk ndodhi dhe pak vite më vonë po Kurum i përdori për skrap plot 5500 ton makineri e pajisje të saj.

Një rafineri në Fier

Pas Cërrikut një pol i tretë për rafinimin e naftës u ndërtua në Fier. Burimet e reja e mundësonin një gjë të tillë. Projektimi i Rafinerisë Naftës Fier u bë nga Instituti i Naftës Fier dhe në të u përdor teknologji ruse.

Pas ndërtimit ajo u vu në punë më 1968. Dy vjet më vonë u rrit kapaciteti përpunues që gradualisht shkoi në 500 mijë ton naftë bruto në vit. Vitet në vijim u plotësua me infrastrukturë, e më pas u bë pjesë e një kompleksi industrial bashkë me një TEC dhe uzinën e prodhimit të plehrave kimike.

Kështu që nuk ishte rastësi që zëri kryesor i prodhimit në rafinerinë e Fierit ishte mazuti në një kohë që aty prodhohej edhe bitum i lëngët, lëndë djegëse dhe hollues nafte.

Të gjithë këto produkte kanë dalë që atje deri në 2004. Më pas me mbylljen e TEC-it mazuti u hoq nga lista. Zë kryesor i prodhimit mbeti bitumi ashtu siç vazhdon edhe sot. Ndërkohë pronësia, duke qenë se rafineria ishte pjesë e ARMO-s, ndoqi të njëtin kalvar si edhe kompania mëmë. U ble nga Taci Oil, u la peng në një bankë për 20 milion euro. Më pas u shit nga banka për 5 milionë dollar.

Blerëse qe kompania AL Global, një shoqëri e krijuar nga grupet e mëdha të tregtimit të karburantit Kastrati dhe Europetrol, të cilët e rivunë në punë, duke ja kursyer fatin e simotrave të saj. Aktualisht aty prodhohet vetëm bitum i cilësisë së lartë, i cili eksportohet në shtetet fqinje si Mali i Zi, Serbia, Maqedonia, Kosova dhe Bullgaria. Është e vetmja prej rafinerive që i ka mbijetuar rrënimit.

Ballshi, “ylli” i industrisë së naftës

Ndër veprat e mëdha industrial të ndërtuara me financim dhe teknologji kineze në vitet e bashkëpunimit me to është edhe ai që njihet si Kombinati Përpunimit të Thellë të Naftës (KPTHN) në Ballsh. Kjo rafineri, që u projektua në Pekin, u ndërtua ndërmjet viteve 1970-1978. Shtrihej në një sipërfaqe 90 hektarë. Përbëhet nga dy linja teknologjike përpunimi: ajo e përpunimit të lëndës së parë dhe ajo e përmisimit të cilësisë.

Kapaciteti përpunues i projektuar ishte 1 milion ton naftë bruto dhe 250 mijë ton karburante të rafinuara në rafineritë e tjera. Vënia në punë e rafinerisë solli përmirësim të madh në cilësinë e benzinës, vajgurit ndriçues, vajgurit të avionave dhe të gazoilit shqiptar për automjete. Po ashtu u shtua gama e nënprodukteve të naftës nga 10 arriti në 22, disa prej të cilave shkonin në eksport.

Në 5 vitet e para të punës aty u përpunuan 4.3 milion ton naftë bruto dhe karburante gjysëm të rafinuara. Më 1984 pjesë e rafinerisë u bënë edhe dy linja të reja: ajo e pastrimit të gazit natyror dhe ajo e prodhimit të vajrave lubrifikantë.

Në vitin e parë të prodhimit prej aty dolën 23 mijë ton vajra të llojeve të ndryshme. Me 2200 punonjësit e saj rafineria vijoi me këto ritme pune deri në vitet 90, duke realizuar sipas përllogaritjeve të mëvonshme deri në 15 milionë dollarë fitime në vit. Puna atje vijoi edhe në vitet e tranzicionit, kur rafineria u bë pjesë e kompanisë ARMO (Albania Refining and Marketing of Oil). por shifrat e para viteve 90 nuk u regjistruan më.

Në 2008 ajo ishte pjesë e procesit të privatizimit, të ARMO-s e cila u ble për 128 milionë euro dhe me premtimin për 240 milionë euro investime në 4 vitet në vijim nga Konsorciumi “Amra Oil” pas të cilit ishte biznesmeni Rezart Taçi. Një privatizim i dështuar nga ku nisën të gjithë problemet në vijim.

Pas borxheve të mëdha të krijuara në vitin 2013, Taçi ia shet ARMO-n Heaney Assets Corporation nga Azerbajxhani për 50 milionë euro. Në gusht 2014 azerat e dhanë rafinerinë e Ballshit me qera.

Puna u ndërpre disa herë. Në shtator 2016 rafineria merret në menaxhim nga IRTC, një kompani pas të cilës ishte sipërmarrësi Besnik Sulaj. Në 2017 rafineria u shit tek kompania britanike Allum Enterprises Limited e cila e dha atë përsëri me qira tek dy kompani te regjistruara ne Zvicer, Tosk Energji dhe Bylis Energji. Në vitin 2019 puna u ndërpre. Tosk Energji bashkë me rafinerinë hynë në kolaps të plotë. Shitja për skrap në 2021 ishte akti i fundit i një tragjikomedie shumëvjecare.

Çfarë humbasim përditë

Rënia në rrethin vicioz të falimentimeve ka bërë që vendi të humbasë miliona dollar në vit për shkak të pamundësisë së përpunimit të naftës së nëntokës tonë.

Sipas një përllogaritje të bërë nga ekspertët e fushës, rezulton se nëse nafta bruto e prodhuar për cdo vit në pesëvjecarin e fundit do të ishte përpunuar në rafineri në vendin tonë prej saj, vec nënprodukteve të tjera, do të prodhoheshin 700 000 ton bitum. Është një vlerë mbi 250 milion dollarë në vit.

Gjithsesi shpresa vdes e fundit. Përveç rafinerisë së Fierit e cila prodhon aktualisht bitum, nuk ka munguar as interesi I kompanive private për të investuar në këtë fushë.

Ndonëse shuma larg akapciteteve të rafinerive që kishim, tashmë në vend janë në funksion Rafinerija e Naftës e ndërtuar në ish Kombinatin Metalurgjik nga kompania RBH Beline Sh.a., një ivestim rreth 12 milion dollarë dhe që është, i vetmi investim serioz në fushën e përpunimit të baftës i kryer pas viteve ’90.

Një rafineri tjetër me kapacitet 150 000 ton në vit naftë bruto e ndërtuar pranë ish Uzinës të Plastmasit në Lushnje, e licensuar për këtë veprimtari me një kontratë koncesioni të vitit 2016, ka hyrë në shfrytëzim në kohët e fundit./abcnews.al/