Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, ka hedhur një breshëri akuzash të forta kundër kryetarit Sali Berisha dhe strukturave drejtuese të forcës politike, në prag të mbledhjes së këtij organi të planifikuar për të mërkurën e 15 korrikut.
Në një dalje të ashpër publike, Murrizi kërkon qartësi mbi emrat e atyre që synojnë postet udhëheqëse dhe godet pa mëshirë figurat që ai i cilëson si “parazitë politikë” dhe ligjvënës pa mbështetje popullore.
Të lidhura
None found
Nëpërmjet një mesazhi të drejtpërdrejtë, ai i bën apel Berishës të zbulojë menjëherë kandidaturat, duke tallur rrethanat që rrethojnë këtë proces. “Shpalli emrat, Doktorr, që para seancës, se nuk ka për t’i ‘vrarë’ njeri, rri i qetë, vetëm LOPA mund t’i ‘vrasë’, se treni tashmë është nisur”, ironizon ai, duke evokuar një takim të mëparshëm për Kryesinë, ku sipas tij, pjesa më e madhe e anëtarëve të Këshillit nuk njihte më shumë se 10-15 nga 60 kandidatët e paraqitur.
Apeleve për “rigjallërim” të partisë që mbështeten tek profili i ri moshor i anëtarësisë, Murrizi u kundërpërgjigjet me sarkazëm. “Kurseje, Doktorr, këtë ‘risinë’ e moshës mesatare, që Këshilli Kombëtar ka 30 apo 35 për qind nën moshën 30-vjeçare, si ndonjë ‘arritje’, sepse MOSHA është tregues ‘suksesi’ vetëm në SPORT ose në shtëpi publike, por në POLITIKË nuk vlen kurrë”, është shprehur ai.
Më tej, ai ka lëshuar një sulm të hapur ndaj deputetëve dhe zyrtarëve që sigurojnë mandate nëpërmjet listave të mbyllura ose emërimeve pa garë elektorale nëpër qarqe, duke i fajësuar për dështimin në zgjedhjet e fundit parlamentare të 25 majit 2025.
“Për çfarë i duhet PD-së të mbajë në elitën e saj individë të pavotuar ose njerëz që i trembemi VOTËS si djalli temjanit? Ky grup nuk gjendet në opozitë, por në luksin e një pushteti hibrid”, thekson ai.
Sipas tij, Këshilli Kombëtar duhet të zhvillojë një debat të sinqertë për gjendjen e rënduar të PD-së dhe të artikulojë një pozicion të prerë mbi protestat, duke kërkuar shembjen e sistemit zgjedhor të vitit 2008, i cili sipas Murrizit ka funksionuar si një “kënetë për të mbarështuar minj politikë”.
“Nëse synojmë që RIPËRTËRITJA të mos shndërrohet në RIPËRTYPJE dhe nga ripërtypja të vijë ‘vjellja’ qytetare, PD-ja duhet ta përballë realitetin me sy hapur. Epoka e këllirave duhet të përfundojë, përndryshe do të fundosemi të gjithë prej tekave të një grushti eunukësh”, e përmbyll reagimin e tij prerës Myslim Murrizi.
