Mustafa: VV i ka votat, nëse besojnë që Kosova humbi pse s’po veprojnë për Demarkacion dhe Zajednicë

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, po thotë se Kryeministri Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje i kanë votat për të vepruar për Asociacionin e Komunave Serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi. Ai thotë se një Asociacion me ndryshime kushtetuese do të ishte i papranueshëm dhe se Kosova mund të tërhiqet nëse Serbia dhe Bashkimi Europian kërkojnë tani që Asociacioni të jetë pushtet i tretë përmes ndryshimeve kushtetuese.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, janë përplasur për çështjen e themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe. Borrell tha se do të kërkojë vazhdimisht implementimin e Asociacionit, ndërkaq Kurti deklaroi se kjo marrëveshje nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.

Këto qëndrime i ka komentuar ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Në një përgjigje me shkrim për Express, Mustafa ka deklaruar se kur ishte Kryeministër, ka marrë zotim me shkrim nga Komisioni Evropian që Asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk është pushtet i tretë.

“Si Kryeministër në vitin 2015 e kam marrë zotimin me shkrim nga zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, znj. Mogerhini se Asociacioni sipas pikëpamjeve të BE-së nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk është pushtet i tretë. Derisa është në fuqi Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Parë, Kosova e ka për obligim ta themelojë (por pa kompetenca ekzekutive).  Këtë pra e ka thënë Gjykata Kushtetuese”, ka thënë Mustafa për Express.

Mustafa thotë se Kosova duhet ta krijojë Asociacionin e Komunave Serbe bazuar në konstatimin e Gjykatës Kushtetuese se ai nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

Ish-kreu i LDK-së deklaron se një Asociacion me ndryshime kushtetuese për të cilin ka folur i Dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të ishte i papranueshëm për Kosovën.

“Gjykata Kushtetuese ka gjykuar se Asociacioni duhet të themelohet sipas Marrëveshjes së Parë, e arritur në vitin 2013 dhe e ratifikuar me Ligj nga Kuvendi. Gjykata ka konstatuar se Asociacioni është bërë pjesë e rendit juridik të Kosovës.  Gjithnjë e kam parasysh se Gjykata i referohet një Asociacioni që nuk ka fuqi ekzekutive dhe që nuk është pushtet i tretë. Jo për Asociacion me ndryshime kushtetuese për të cilin është shprehur z. Lajçak. Për një Asociacion të tillë nuk është  diskutuar asnjëherë dhe ai do të ishte i papranueshëm për Kosovën”, ka deklaruar Mustafa.

Ish-kryeministri i Kosovës thotë se nëse Serbia dhe Bashkimi Evropian kërkojnë që Asociacioni të marrë kompetenca të komunave përmes ndryshimeve kushtetuese, Kosova duhet të tërhiqet.

Ai thotë se në asnjë rast, Kosova nuk ka marrë obligim për ndryshime kushtetuese, për të i krijuar hapësirë Asociacionit të cilin e parapëlqen Serbia.

Mustafa thotë se Serbia para gjashtë vitesh ishte pajtuar që Asociacioni të krijohet, kur Gjykata Kushtetuese konstatoi se statusi i tij është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

“Në qoftë se Serbia dhe BE tani kërkojnë që Asociacioni të jetë pushtet i tretë (të marrë kompetenca të komunave), përmes ndryshimeve kushtetuese, do të kishte arsye të plotë që Kosova të tërhiqet nga ky obligim përmes shfuqizimit të Ligjit, për arsye se në asnjë rast Kosova nuk ka marrë obligim për ta ndryshuar Kushtetutën e për t’i krijuar hapësirë një Asociacioni çfarë tani e parapëlqen Serbia. Duhet përkujtuar se në vitin 2015 Serbia ishte pajtuar që Asociacioni të konsiderohet i themeluar kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës shprehet se Statuti i tij është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka deklaruar Mustafa.

Mustafa ka përmendur edhe qëndrimin e Kryeministrit Albin Kurti dhe partisë së tij për Asociacionin, kur ishin në opozitë.

Ai thotë se Kurti dhe VV-ja tani që janë në pushtet, duhet të veprojnë dhe të marrin përgjegjësi.

“Sa i përket Kryeministrit Kurti ai dhe partia e tij e kanë kundërshtuar Zajednicën me të gjitha mjetet. Tani janë në pushtet, kanë numër të madh të deputetëve, tani s’kanë nevojë të bëjnë opozitë por të veprojnë dhe të marrin përgjegjësi nga pozita”, ka deklaruar Mustafa.

Mustafa po ashtu thotë se nëse Kurti dhe partia e tij kanë argumente se Kosova ka humbur 8 mijë e 200 hektarë në korrigjimin e kufirit me Malin e Zi, pse s’po ia kthejnë Kosovës.

Ai deklaron se pozita i ka votat për këto dy marrëveshje.

“E njëjta gjë vlen edhe për kufirin me Malin e Zi. Nëse edhe sot mendojnë dhe kanë argumente se Kosova ka humbur 8,200 hektarë, pse nuk po veprojmë ta korrigjojnë dhe  t’ia kthejnë Kosovës. Votat i kanë edhe për Zajednicën edhe për Marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi. I kanë ato me të cilat e kanë zgjedhur Presidenten”, ka deklaruar Mustafa.

Më 25 gusht të vitit 2015, delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga Kryeministri Isa Mustafa ka nënshkruar katr marrëveshje me Serbinë, në mesin e të cilave ishte edhe Asociacioni komunave me shumicë serbe.

Këto marrëveshje më pas u ratifikuan në Kuvendin e Kosovës.

Partia e Kryeministrit të tanishëm, Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, e kishte kundërshtuar vazhdimisht Asociacionin, duke e quajtur në serbisht “Zajednicë”. /Express


Shtuar 8.12.2021 16:41