Mungon tregu i shitjes për mbiprodhimin e vajit të ullirit, Krifca: Po punojmë për adresimin e problematikës

Mbiprodhimi i lartë i vajit të ullirit këtë vit është goditur nga mungesa së tregjeve të shitjes. Informaliteti i lartë i sektorit dhe eksportet e ulëta mbeten arsyet kryesore të mungesës së tregut.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca e pyetur pas mbledhjes së qeverisë për problematikën aktuale të sektorit të ullirit që është mbiprodhimi dhe mungesa e tregut të shitjes tha se kjo është një situatë që përsëritet ndër vite, për shkak të shtimit të rrënjëve të ullirit të mbjella pa plan apo strategji.

“Këtë vit ka pasur prodhim të lartë të ullirit dhe vajit të ullirit. Rreth 20% e produktit tregtohet si ulli në tregun e brendshëm, ndërsa 80% e tij përpunohet për vaj. Sistematikisht ndër vite ka ekzistuar problematika e mbi mbjelljes të rrënjëve të ullirit.

Në të gjithë vendin janë të mbjella rreth 10 milionë rrënjë, të cilat herë pas herë janë mbjellë pa strategji dhe plan të qartë që sjellin prodhim në momente të caktuara, që nuk ka qenë njëkohësisht e shoqëruar me strukturat e fabrikave të përpunimit. Edhe në vend janë aktualisht 250 fabrika, nevojitet që përpunimi të jetë i rregulluar me cilësi të lartë dhe procese certifikimi, për këtë arsye herë pas herë gjendemi përballë këtyre vështirësive”.

Krifca tha se po synohet të zgjidhet problematika për zgjerimin e tregut në bashkëpunimin me ministrat italianë dhe francezë dhe nëpërmjet automatizimit të industrisë.

“Jemi duke punuar vazhdimisht me kuadër ligjor dhe rregullator, por edhe me kontaktet që kam pasur së fundmi me ministrat italian dhe francez të bujqësisë është diskutuar mundësia për fuqizimin e sektorit, nëpërmjet përmirësimit të teknologjisë dhe zgjerimin e tregjeve, për të çliruar këtë problematikë. Po punojmë për adresimin e saj. Deri tani kemi bërë dy ndërhyrje të rëndësishme për sektorin, e para është ,mbështetja e skemës me naftë në vitin 2022 sektorin e ullirit për të ulur koston. Në IPARD III me fondin në vlerë 146 milionë euro është përfshirë edhe kultura e ullirit”.

Për vitet 2009-2021 sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural tendenca e prodhimit të vajit të ullirit është e luhatshme. Në vitin 2012 janë prodhuar 13,745 ton vaj ulliri. Krahasuar me 2011 prodhimi u rrit 50%.

Në 2013 prodhimi shënoi rënie 23%. Përpunuesit shpjegojnë se rënia erdhi tërësisht nga prodhimi i kufizuar i ullirit, pasi ullinjtë u dëmtuan nga shirat në periudhën e lulëzimit. Për periudhën 2009-2019 tendenca e prodhimit është e luhatshme. Në 2019 janë prodhuar 20 mijë ton vaj ulliri. Krahasuar me një vit më parë prodhimi pësoi rritje të lehtë në 2%. Për vitin 2021 prodhimi i vajit të ullirit ishte rreth 26% më shumë se viti 2020.

Këtë vit ministria e Bujqësisë parashikon që sasia e vajit të prodhuar të jetë 70% më e lartë se ajo e vitit të kaluar./Monitor


Shtuar 27.12.2022 18:21