Muaji i Shenjtë i Ramazanit, Rama shtron iftar: Na bën bashkë ndjesia e përkatësisë së diçkaje të njëjtë

Në kremtim të muajit të Shenjtë të Ramazanit, dhe në respekt të traditës së krijuar prej vitesh tashmë, Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama shtruan një darkë iftari në mjediset e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, me pjesëmarrjen e politikanëve, ministrave, artistëve, gazetarëve, punonjësve të rendit, përfaqësuesve të komuniteteve fetare si atij katolik, ortodoks, bektashi dhe ungjillor dhe të ftuarve të tjerë.

“Për këdo që nuk i përket fesë islame, pjesëmarrja në iftar është një lloj agjërimi më vete, një lënie mënjanë e paragjykimeve, një përulje ndaj traditave shpirtërore dhe dokeve të bukura të tjetrit, shprehja e një kumti të thjeshtë, por kuptimplotë paqeje” – u shpreh ndër të tjera, kryeministri Rama në përshëndetjen tradicionale drejtuar të ftuarve, teksa uroi për agjërim dhe lutje të pranuara për të gjithë besimtarët.

Rama: Njësoj siç e mirëpresin agjëruesit edhe unë për hir të vërtetës, mezi e pres ta ofroj këtë iftar së bashku me Lindën dhe me ndihmën e kujtdo angazhohet që sofra të ketë frymën e një mbrëmjeje ku nuk na mbledh bashkë as feja, as gjuha, as puna që bëjmë në të përditshmen tonë apo ideja e çdokujt këtu për Zotin, por na bashkon ndjesia e përkatësisë ndaj diçkaje të njëjtë, e lidhjes me diçka të ngjashme të cilës i gjejmë emra të ndryshëm, ose edhe pa mundur apo pa u munduar t’i vëmë emër, i ndjejmë afërsinë e papërkufizueshme.

Vakti i iftarit nuk është një vakt i zakonshëm dhe kur ai ndodh kështu si sonte, është një ndarje buke mes më të fortëve, atyre që duke agjëruar mposhtin dobësitë e trupit dhe më pak të fortëve që të agjëronin nuk mundën apo nuk deshën.

Sigurisht është virtyt t’i nënshtrohesh disiplinës së fortë të agjërimit, në këtë muaj që jo më kot quhet i Madhërueshëm, pra lartësues, por duke qenë se unë vetë, pavarësisht lartësisë së shtatit bëj pjesë tek kategoria e më pak të fortëve këtu sonte, e shoh të virtytshme edhe uljen e jo agjëruesve në sofrën e iftarit.

Për këdo që nuk i përket fesë islame, që nuk përshkon rrugën e agjërimit të urdhëruar nga profeti, që nuk vjen në këtë sofër nga kërkesat këmbëngulëse të faljes, pjesëmarrja në iftar është një lloj agjërimi më vete, një lënie mënjanë e paragjykimeve, një përulje ndaj traditave shpirtërore dhe dokeve të bukura të tjetrit, shprehja e një kumti të thjeshtë, por kuptimplotë paqeje, kryerja e një gjesti njerëzillëku mes të ndryshmish në një hapësirë si kjo e atdheut tonë ku, lavdi Zotit dhe mençurisë popullore, të qenit të ndryshëm në fe nuk na ka bërë njerëz të grindur mes vetit për Zotin në të cilin besojmë a nuk besojmë apo për fenë të cilës i përkasim, a nuk jemi ose ndjehemi përkatës.

Kështu që, duke shtruar një iftar, paradoksalisht bashkohemi nga rrugë të ndryshme në respektin dhe mirësinë e ritualit të agjërimit të vëllezërve dhe motrave të besimit islam, por dhe në pranimin e një njerëzillëku përtej kufijve a distancave të së përditshmes i cili lidh këtu në afrimitet edhe ata që i vënë Zotit një emër, edhe ata që emër për Zotin nuk gjejmë ose as që nuk duan të gjejnë.


Shtuar 8.04.2024 19:53