MSH tregon se kur do të nisë vaksinimi me dozat e reja të vaksinave antiCOVID

Rreth pesë mijë doza të vaksinës së kompanisë Pfizer të cilat i janë ndarë Kosovës nga Bashkimi Europian si pjesë e pakos së ndihmës që BE u ka bërë vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë arritur sonte në Kosovë.

Ministria e Shëndetësisë tha se me këto 4600 doza nga nesër në orën 10:00 n sallën “1 Tetori” do të vazhdojë vaksinimi në vend. Përmes një postimi në Facebook bëhet e ditur se me këto doza të vaksinohet personeli shëndetësor që nuk arriti të vaksionohej me dozat e COVAX-it.

“Me rekomandim të Komitetit për vaksinim kundër COVID-19, këto doza të vaksinës Pfizer/Biontech do të përdoren për vaksinimin e punëtorëve shëndetësor, të cilët nuk kanë mundur të vaksinohen në fazën e parë të vaksinimit për arsye shëndetësore për çka duhet të kenë dëshmi”, thuhet në një postim në FB.

Dozat e siguruara janë pjesë e asistencës prej 95 mijë vaksinave antiCOVID që Bashkimi Europian i ka ndarë për Kosovën ku nga java e ardhshme pritet të vijnë vazhdimisht kontigjente të vaksinave të tjera si nga BE por edhe përmes programit COVAX.


Shtuar 4.05.2021 21:08