Kryeministri Edi Rama, ka ndarë në rrjetin sociale “Facebook”, rastin e familjes Vojkollari, e cila u bekua me katërnjakë, në maternitetin “Koço Gliozheni”.
Çifti Rozeta dhe Geraldo Vojkollari, sollën në jetë katërnjakë, pas një shtatzënie natyrale.
Shefi i qeverisë pohon se mbështetja me bonusin e bebes vijon.
“Me lumturinë e familjes Vojkollari, të bekuar katërfish me ardhjen në jetë të Roal, Alroa, Roar dhe Auro në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik ‘Koço Gliozheni’, ku sigurisht mbështetja me bonusin e bebes vijon”, shkruan Rama.
Që prej vitit 2019, qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, vijojnë zbatimin e programit të bonusit të bebes, nga i cili kanë përfituar rreth 227 mijë familje.
Bazuar në skemën aktuale, bonusi i bebes përfitohet nga familjet, të cilat jetojnë dhe kontribuojnë në Shqipëri.
Konkretisht, përfitim financiar është në masën 40 000 lekë për lindjen e fëmijës së parë, 80 000 lekë për fëmijën e dytë dhe 120 000 lekë për lindjen e fëmijës së tretë.
