Mpiksje gjaku nga Astra Zeneca, si e refuzuan të vërtetën Rama me “ekspertet” e tij

Astra Zeneca e ka pranuar për herë të parë; “Vaksina e saj mund të shkaktojë sindromën e trombozës”, një lloj mpiksje gjaku që pasohet nga një numër i ulët i trombociteve në gjak. Edhe pse “në raste shumë të rralla”, Astra Zeneca u detyrua ta pranojë të vërtetën gjatë një procesi gjyqësor në Britani, ku u përball me një padi në grup që pretendonte se vaksina e saj, ka shkaktuar vdekje dhe lëndime të rënda në dhjetëra raste.

Lajmi është i konfirmuar në të gjitha mediat kryesore dhe i jep fund një debati që nisi në fund të vitit 2020, kur pandemia kishte pllakosur të gjithë globin.

Edhe në Shqipëri pati nga ata që u alarmuan nga efektet anësore të Astra Zeneca, por atëherë u përballën me një propagandë intensive të qeverisë, që shtyu presionin për aplikimin e Astra Zeneca. Në vitin 2021, shumë vende europiane e kishin refuzuar përdorimin e kësaj vaksine, për shkak të raportimit të mjekëve, që lajmëronin se një pjesë e qytetarëve që kishin marrë dozat e Astra Zeneca, kishin pësuar trombozë.

Shtetet e Bashkuara ishin ndër të parat që e refuzuan. Vende të Bashkimit Europian, si Lituania, Estonia, Letonia, Luksemburgu, Austria, Danimarka dhe Norvegjia e bllokuan procesin e vaksinimit me Astra Zeneca.

Por çfarë ndodhi në Shqipëri?

Sa nga dëshpërimi për t’iu përgjigjur urisë për vaksina, sa nga presioni i fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare, qeveria shqiptare i hapi dyert për Astra Zeneca pa asnjë filter dhe detyroi mësuesit ta merrnin të parët.

Në mars të vitit 2021, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mburrej se në Shqipëri do të vinin mbi 38 mijë dozat e para.

Për t’i qetësuar mësuesit doli ish-Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu që shpiku një justifikim banal. Ajo tha se dozat e vaksinës që mbërrijnë në Shqipëri, nuk kanë lidhje me serinë që dyshohet se kishte patur probleme në Danimarkë.

“Ne jemi informuar që seria që vjen nesër nuk është e njëjta seri që ka shkuar në Danimarkë. Ka një seri që konsiderohet problematike dhe ky numër serie është bllokuar. Ka dalë dhe sot OBSH me një deklaratë ku thotë se pavarësisht se EMA është duke shqyrtuar këtë lot të vaksinës, pjesa tjetër duhet të vazhdojë vaksinimin duke monituar”, tha në Opinion ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Por në atë kohë, edhe Gjermania dhe Franca e shikonin me dyshim vaksinën Astra Zeneka.

Për të minimizuar rrezikun e trombozës këto shtete vendosën që kjo lloj vaksine të kryhej vetëm tek moshat nën 65 vjeç. Por në Shqipëri e refuzuan edhe këtë masë. Garancinë atëherë e dha ekspertja Silva Bino.

“Vaksina do të përdoret në të gjitha grup moshat siç përdoret Pfizer. Vendimi është kthyer edhe nga ato vende që morën një vendim që të mos vaksinonin persona mbi 65 vjeç për shkak të dhënave të pakta që kishte në studimin fillestar. Të dhënat e sotme të publikuara nga Mbretëria e Bashkuar, që e ka përdorur këtë vaksinë në të gjitha grup moshat, tregojnë që ajo është efektive, e sigurt edhe mbi 65 vjeç dhe kjo ka qenë arsyeja që Komitetet teknike i kanë tërhequr vendimet e marra”, deklaroi Bino.

Mësuesve të parë që do të shpoheshin me vaksinën Astra Zeneca u dha garanci vetë kryeministri Edi Rama. Ai shkoi në shkollën “4 Dëshmorët” për t’i qetësuar mësuesit dhe fajësoi mediat për lajmet e rreme që jepnin atëherë.

“AstraZeneca është pezulluar në disa vende, siç është e vërtetë që ju jeni në detyrimin e madh dhe njerëzor të mos bëheni përçues të lajmeve të pavërteta që hapin panik. Mund të jetë në rrjetet sociale por jo në ekrane ku një staf i tërë punon. Nëse do ishte e vërtetë do qe e pamundur që bota ta lejonte. Sasia që morëm ne dje ka ardhur nga Suedia.

E mendoni dot ju që Suedia ta lejonte një gjë të tillë? Sot kam parë një prononcim të drejtorit në Itali, thotë që bëhet fjalë për një seri të veçantë. Ne kemi një seri tjetër. Anglia vazhdon vaksinimin me AstraZeneca. Nuk ka shans që të jetë një injeksion që të shkaktojë komplikime me shëndetin. Nuk ka asnjë problem. Është një vaksinë që vazhdon dhe qarkullon.

Mos harroni se ka shumë lajme të rreme, ka edhe luftë tregtare, mos harroni se eshtë edhe luftë tregtare, por referojuni burimeve zyrtare” u shpreh Rama në datën 13 Mars 2021, në oborrin e shkollës “4 Dëshmorët”.

Por thirrjet e Ramës binin në kundërshtim me vendimet e qeverive europiane. Prandaj ishin të shumtë mësuesit që nuk i besuan.

Propagandën e Ramës e vazhdoi ish-zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, e cila lëshoi një perlë kur tha se trombozën mund ta merrje edhe pa e bërë vaksinën.

“Trompoza ndodh edhe pa bërë vaksinën. Përderisa nuk është vërtetuar lidhja me trompozat, ne nuk kemi të drejtë të spekulojmë. Në Shqipëri nuk kemi pasur asnjë rast. Edhe sikur të ndodhte, rreziku është shumë i vogël, është 0.007 për 1000 raste.” shprehej Rakacolli.

Gjithsesi, një pjesë e mirë e mësuesve nuk ia besuan shëndetin e tyre broçkullave të Ramës dhe eksperteve të tij të pandemisë. Në një reportazh të Zërit të Amerikës për qendrat e vaksinimit, mësuesit në disa raste kishin frikë të shpjegonin përse e refuzonin Astra Zenecan. Ata bëheshin pjesë e teatrit të qendrave të vaksinimit, por i druheshin ndëshkimit nga autoritetet. Shiko videon më poshtë:

Ishte pikërisht frika e mësuesve që dëshmohet nga materiali më lart, që tregon se rreziku i Astra Zeneca jo vetëm u shpërfill, por qytetarët u detyruan të shpohen si pjesë e një fushate masive vaksinimi që ishte edhe kalë beteje për fushatën elektorale. Sot, Astra Zeneca ka pranuar se shkakton mpiksjen e gjakut në disa raste, duke i shndërruar të vdekurit nga efektet e saj anësore, në efekte anësore të një fushate zgjedhore./Lapsi.al


Shtuar 1.05.2024 18:46