Moti i keq shkakton viktima dhe dhjetëra të zhdukur në Brazil, evakuohen qindra banorë

Shirat e dendur në orët e fundit kanë shkaktuar përmbytje katastrofike në jug të Brazilit, me ekipet e shpëtimit që kanë nxituar në shtetin Santa Catarina për të evakuuar qindra banorë të bllokuar në shtëpitë e tyre. Rrëshqitja e dheut la të paktën dy të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur në Brazil.

Videot nga Mbrojtja Civile e shtetit tregojnë operacionet tronditëse të shpëtimit me helikopterë, ndërsa shumë shtëpi mbeten të “zhytura” në ujin me baltë.

Sipas autoriteteve lokale deri më tani, më shumë se 880 banorë janë evakuuar të sigurt nga zonat e përmbytura. Zyrtarët e Santa Catarina -s u bëjnë thirrje banorëve që të shmangin udhëtimet rrugore me disa zona të shpallura gjendje të jashtëzakonshme.

Përmbytjet në këtë kohë të vitit janë një dukuri e zakonshme në Brazil, por kanë qenë përgjegjëse për fatkeqësitë e mëdha në vitet e fundit. Një shembull tipik ishte shkurti i kaluar, kur 94 persona humbën jetën për shkak të rrëshqitjeve të dheut të shkaktuara nga reshjet e dendura në Petropolis, pranë Rio de Zhaneiros.


Shtuar 2.12.2022 07:25