Moti i keq në vend, pezullohen lundrimet e trageteve të linjës Durrës – Bari

Vendi jonë është “pushtuar” nga një mot i keq prej disa ditësh, ndërsa po ashtu vazhdojnë problemet në daljen e mjeteve lundruese në det hapur.

Kapiteneria e Durrësit ka njoftuar se krahas mjeteve të tonazhit të vogël dhe peshkarexhave, sonte nuk do të lundrojnë as tragetet e linjës Durrës-Bari.

Sipas të dhënave, “Rigel III” dhe “Af Marina”, parashikuar për t’u nisur rreth orës 23:00 të kësaj të marte, do të nisen pas orës 05:00 të së mërkurës. Megjithatë pasagjerët do të imbarkohen sonte dhe do të mbeten në pritje për t’u nisur drejt Italisë në orët e para të mëngjesit.

Por ndërkohë nuk do të pezullohet lundrimi në krahun tjetër të Adriatikut. “Rigel VII” dhe “GNV Blue” do të nisen sonte nga porti i Barit në orën 22:00 dhe parashikohet të mbërrijnë nesër rreth orës 07:00.

Njoftimi:

Njoftojmë të gjithë pasagjerët që kanë rezervuar lundrimin mbrëmjen e sotme nga Porti i Durrësit drejt Barit(Itali) se nisja do të shtyhet me disa orë, për shkak të erës së fortë që është prezente në të dyja anët e Adriatikut. Në varësi të kushteve të motit dhe normalizimit të mëtejshëm, dy tragetet do të nisen për lundrim në orët e para të mëngjesit të nesërm, dt.23.11.2022.

Kompanitë e lundrimeve do të respektojnë të gjitha detyrimet që lindin nga kjo vonesë, prandaj për çdo informacion mund të kontaktoni me to.

Ju falenderojmë për mirëkuptimin dhe do tju informojmë në vijim për çdo zhvillim të nevojshëm.


koment