Moti i keq godet Slloveninë, nis evakuimi i banorëve

Për shkak të reshjeve të dendura të shiut që përfshinë Slloveninë, për një pjesë të madhe të vendit është lëshuar paralajmërim i kuq për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, ndërsa popullata nga zonat më të rrezikuara është evakuuar.

Mediat sllovene njoftuan se lumi Baça, si dhe përrenjtë e shumtë, kërcënojnë ndërtesat e banimit dhe ndërtesat e tjera.

“Situata është kritike, kemi evakuuar rreth 15 persona. Në terren janë më shumë se njëqind zjarrfikës dhe kemi nevojë për makineri të rënda për hapjen e rrugëve”, transmetuan mediat deklaratën e komandantit të mbrojtjes civile të Tolminit, Miha Vencelj.

Në luginën e Gornja Savinjskës janë aktivizuar sirenat si masë paraprake për të rritur vëmendjen e popullatës në zonën e Dretës dhe Ljubnicës ndaj përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.

Përveç përrenjve dhe lumenjve të mbushur me ujë, probleme shkakton edhe niveli i lartë i detit në Slloveni.


Shtuar 27.10.2023 17:37