Moska dëbon dy diplomatë amerikanë për spiunazh

Moska ka njoftuar dëbimin  e dy diplomatëve amerikanë. Ata akuzohen se kanë vepruar si “ndërlidhës” me një ish-zyrtar rus të arrestuar në fillim të këtij viti dhe dyshohet se i ka transmetuar Uashingtonit informacione rreth luftës së Rusisë në Ukrainë.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Punëve të Jashtme ruse thirri ambasadorin amerikan në Moskë për shpjegime rreth këtij rasti.

Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, dy diplomatët e shpallur persona non grata, kanë shërbyer si sekretar i parë dhe i dytë i ambasadës amerikane në Moskë. Këta janë Jeffrey Silin dhe David Bernstein.

“Ata janë të detyruar të largohen nga territori rus brenda shtatë ditëve,” tha ministria ruse në deklaratën e saj./Albeu.com


Shtuar 14.09.2023 16:12