“Mos prek me dorë”, pas sherrit Evi Kokalari drejton gishtin nga Basha dhe paralajmëron “reston” (VIDEO)

Anëtarja e Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit të PD-së, Evi Kokalari, e ka drejtuar gishtin nga kryedemokrati Basha për incidentin që ndodhi ditën e sotme në selinë blu.

Kokalari shprehet se ndaj saj dhe Albana Vokshit u ushtrua dhunë psikologjike dhe fizike. Veç paralajmërimit, Evi Kokalari ka edhe një thirrje për Lulzim Bashën.

“Lulzim Basha duhet të marrë përgjegjësi për dhunën verbale, psikologjike dhe fizike të ushtruar ndaj meje dhe disa grave të tjera në ndërtesën e PD-së sot. Dy gra, që ishin komplet jashtë  kontrollit, u munduan të na intimidonin me sharje vulgare dhe dhunë fizike, dhe Lulzim Basha që ishte në seli, nuk mori mundimin ta ndaloj për gati një orë që ishim aty, që do të thotë që Lulzim Basha  ishte pjesë e këtij vulgariteti.

Basha duhet të kuptoj që unë do vi sa herë kam takim në seli, sepse jam e mandatuar nga 4446 delegatë të Partisë Demokratike. Nëse herës tjetër që do jem aty, do përballem po me këtë vulgaritet, Lulzim Basha do marri një përgjigje jo vetëm të merituar por dhe shumë agresive, që do mallkoj ditën që humbi logjikën ndaj meje, dmth shkarkimi nga detyra dhe dosja e Nick Muzin, do të ishin vërtet problemet më të vogla që Luli do ketë ndonjëherë në jetë” shkruan ajo.

Por cfarë ndodhi pak orë më parë?

Deputetja Albana Vokshi, aktivistja Evi Kokalari dhe një grup grashë që i ishin bashkuar, shkuan në selinë e Partisë Demokratike.

Gjatë momentit që po jepnin një deklaratë për mediat, një grua i ndërpreu dhe po i kërkonte Kokalarit që të zbulonte burimin e financimit të udhëtimeve të saj.

Më pas situata u tensionua duke vijuar me fyerje e ofendime nga ana e zonjës në fjalë, ndërkohë që Kokalari i bënte thirrje vazhdimisht të mos e prekte me dorë.

Si përfundim, zonjat Kokalari dhe Vokshi u detyruan që të largoheshin ndërsa kjo e fundit shprehej se “kjo është fytyra e vërtetë e Lulzim Bashës.

Vizita që deputetja Vokshi, Evi Kokalari, Edith Harxhi dhe përfaqësuese të tjera bënë sot në selinë e PD-së, ishte në kuadër të mbledhjeve të LDG-së./albeu.com/


Shtuar 15.12.2021 18:28