Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, reagoi ashpër ndaj presidentit francez Emmanuel Macron, pasi ai u kërkoi fuqive botërore të mos “poshtërojnë” presidentin rus Vladimir Putin lidhur me Ukrainën, në mënyrë që të ketë shanse për një zgjidhje diplomatike të konfliktit.
“Thirrjet për të shmangur poshtërimin e Rusisë poshtërojnë vetëm Francën dhe çdo vend tjetër që do të bënte një thirrje të ngjashme. Sepse është Rusia ajo që poshtëron veten,” shkruante zoti Kuleba të shtunën në Twitter.
Calls to avoid humiliation of Russia can only humiliate France and every other country that would call for it. Because it is Russia that humiliates itself. We all better focus on how to put Russia in its place. This will bring peace and save lives.
— Dmytro Kuleba (@DmytroKuleba) June 4, 2022
Më mirë të përqendrohemi të gjithë tek përpjekjet për t’i treguar vendin Rusisë. Kjo do të sillte paqe dhe do të shpëtonte jetë”, tha ai.
“Ne nuk duhet ta poshtërojmë Rusinë në mënyrë që ditën kur luftimet të ndalen, të mund të krijojmë një platformë për zgjidhje diplomatike,” tha zoti Macron në një intervistë të premten, duke shtuar se Franca do të luante një rol kyç në ndërmjetësim.
“Unë mendoj dhe ia kam thënë (Presidentit Putin) se ai ka bërë një gabim historik dhe themelor për popullin e tij, për veten e tij dhe për historinë,” tha Macron. “Unë mendoj se ai u vetëizolua”, shtoi ai.
Zoti Macron është përpjekur të mbajë të hapur dialogun me udhëheqësin e Kremlinit, Vladimir Putin që kur filloi agresioni i Moskës më 24 shkurt.
Qëndrimi i tij është kritikuar vazhdimisht nga disa partnerë në vendet e Evropës Lindore dhe baltike në Evropë, pasi ata e shohin atë si minim të përpjekjeve për të ushtruar presion ndaj presidentit rus për t’u ulur në tryezën e bisedimeve.
Presidenti Macron ka folur rregullisht me presidentin Putini që kur filloi agresioni, si pjesë e përpjekjeve për të arritur një armëpushim dhe për të filluar negociata të besueshme mes Kievit dhe Moskës.
Franca e ka mbështetur Ukrainën ushtarakisht dhe financiarisht, por deri tani, zoti Macron nuk ka qenë në Kiev për të ofruar mbështetje simbolike politike si udhëheqësit e tjerë të BE-së, diçka që Ukraina ka kërkuar që ai të bëjë. Macron tha se nuk e ka përjashtuar mundësinë e një vizite./VOA