Pak ditë pas goditjes së një grupi kriminal nga SPAK pas çkodimit të aplikacionit në SKY, del në skenë edhe emri i Ergys Dashit, i ekzekutuar në Ekuador, pak vite më parë.
Ndërsa ekzekutuesit dhe porositësit nuk dihen ende, ajo që dihej është përfshirja e tij në trafikun e drogës. Në dosjen hetimore të SPAK ku u godit një grup kriminal, emisioni në “Shënjestër” nga Klodiana Lala, ka zbardhur edhe një episod ku dy anëtarit të grupit, Ismail Zeneli dhe Eralbi Breçani diskutojnë për Dashin.
“Më datë 18 shkurt 2021, në portin e Valencias në Spanjë, është sekuestruar rreth 69 kg kokainë e fshehur në motorin frigoriferik në fund të kontenierit, i cili transportonte fuçi me lëng limoni të ngrirë të koncentruar. Ngarkesa thuhet se kishte ardhur nga Brazili. Nga hetimet del se të dyshuar për këtë trafik janë Ismail Zeneli, Eralbi Breçani dhe Ergys Dashi, ky i fundit i ekzekutuar në Ekuador. Ismail Zeneli ka patur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës, Brazil. Si edhe të nxjerrjes së lëndës narkotike nga porti i Valencias në momentin kur do të mbërrinte në këtë port e transportuar me kontenier. Artan Sulejmani ishte bashkëpunëtor i Zenelit, ndërsa Eralbi Breçani ka pasur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës, Brazil”, thuhet në dosje.
Në një nga bisedat që lidhen me këtë transport droge, ku i përfshirë del të ketë qenë edhe Ergys Dashi, i ekzekutuar disa kohë më pas në Ekuador, Ismail Zeneli dhe Eralbi Breçani, shprehin hapur dyshimin se mos Dashi, u bën ndonjë lojë.
Ismail Zeneli flet me Besmir Murtatin: Duke qenë se nuk kanë besim tek Ergys Dashi për shkak se po vonon nisjen e lëndës narkotike nga Amerika e Jugut.
Në bisedë, Ismail Zeneli thotë: ‘Ishallah s’na del dardhë’.
Por ndërkohë grupi nuk kujdesej vetëm që droga të kalonte e qetë matanë rrethimit të porteve në Evropë, por edhe të lante disa hesape të vjetra, ashtu edhe si në rastin e vëllezërve Nela, për të cilët Ismail Zeneli, besonte se në vitin 2013 i kishin vrarë në sy të tij, vëllain me emrin e ndryshuar, Xhem Krasniqi.