“Mos luaj me zjarrin se do digjesh”, çfarë diskutuan në takim Biden dhe Xi

Presidenti i Amerikës Joe Biden ka zhvilluar një takim online me homologun e tij kinez Xi Jiping. Biden i ka thënë se SHBA është fuqimisht kundër përpjekjeve të njëanshme për të ndryshuar status quo-në ose për të minuar paqen në Tajvan.

Biden dhe Xi, në samitin digjital, diskutuan gjithashtu çështje të tjera si praktikat e Kinës në Xinjiang dhe Hong Kong.

Këto janë diskutimet më thelbësore që të dy udhëheqësit kanë pasur që kur Biden mori detyrën në janar.

Xi, ndërkohë, i dha një paralajmërim Biden se mbështetja e SHBA për pavarësinë e Tajvanit ishte si “të luash me zjarrin… dhe ata që luajnë me zjarrin do të digjen”, sipas medias shtetërore kineze të cituar nga Reuters.

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Biden i theksoi atij se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj politikës “Një Kinë”.

Politika “Një Kinë” është një gur themeli i marrëdhënieve kino-amerikane. Sipas kësaj, SHBA njeh dhe ka lidhje formale me Kinën dhe jo me ishullin e Tajvanit, të cilin Kina e sheh si një provincë të shkëputur që do të ribashkohet me kontinentin një ditë.

Megjithatë, SHBA-ja i përmbahet gjithashtu Aktit të Marrëdhënieve me Tajvanin, i cili thotë se duhet të ndihmojë Tajvanin të mbrohet në rast të një sulmi.

Biden tha muajin e kaluar se SHBA do të mbronte Tajvanin nëse Kina do të sulmonte ishullin, në një largim të dukshëm nga një pozicion i gjatë i politikës së jashtme amerikane të “paqartësisë strategjike” që e ka parë Uashingtonin të jetë qëllimisht i paqartë për atë që do të bënte në të vërtetë./albeu.com


Shtuar 16.11.2021 07:36