Mori ryshfet për të ndikuar në ministri, avokati nxjerr faturat: E bëra sipas ligjit!

Lavdosh Shehu, avokati i vënë në pranga me urdhër të SPAK ka apeluar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.

Shehu u arrestua për “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës ai ka depozituar ankimimin në apel ku kërkon ndryshimin e masës nga arrest me burg në garanci pasurore. Sipas mbrojtësit, avokati Lavdosh Shehu nuk ka konsumuar vepër penale pasi ai ka proceduar komform të gjitha rregullave ligjore, për ekstradimin nga Italia drejt Shqipërisë të shtetasit Fatos Hyseni i dënuar me 30 vite burg për vrasje.

Në ankimim thuhet se Shehu, nuk ka takuar apo nuk ka ndërhyrë tek asnjë zyrtar apo punonjës në ministrinë e drejtësisë, ku të gjitha komunikimet i ka kryer nëpermjet emailit. Gjithashtu në ankimim thuhet se për 5000 mijë eurot që avokati i ka marrë shtetases Shqipe Hyseni, për punën e transferimit të djalit të saj, ai i ka kthyer asaj një shumë prej 900 eurosh. Ndërsa për 4100 euro ai ka lëshuar edhe faturë tatimore.

Shehu u arrestua rreth dy javë më parë me urdhër të SPAK, pasi i kishte premtuar familjarëve të të dënuarit për vrasje Fatos Hyseni, i cili është në burg për vrasje të bërë në vitin 1998, që të transferohej nga Italia për ta kryer dënimin në Shqipëri.

Shehu kishte marrë fillimisht nga familja një shumë prej 5 mijë eurosh, dhe priste që të merret shumën e dytë. Por duke qenë se familja e Hysenit nuk ishte njohur me hapat konkretë të avokatit, kishin vendosur që ta denonconin atë në një emision  investigativ, çka shërbeu dhe më pas si një pikënisje për hetimet.

 


Shtuar 3.11.2021 10:52