Mori eshtra në një varr në Pukë, zbulohet si e inskenoi vrasjen mafioze italiani në Shqipëri

Detaje të reja janë zbuluar nga “zhdukja” dhe inskenimi i vdekjes së biznesmenit italian, i cili u gjet shëndoshë e mirë në një ishull, Monte Cristo.

Gazeta italiane “La Nazione” shkruan se bisnesmeni 45-vjeçar ishte zhdukur  për shkak të problemeve financiare të cilat kanë lidhje me “monedha floriri”.

Sipas medias italiane, Pecorelli ka qëndruar për disa kohë në një komunitet të priftërinjve në Medugorje, qytet në Bosnje.

“Aty kishte shkuar falë ndihmës së një prifti katolik shumë të njohur në Shqipëri”, raporton “La Nazione”.

Bazuar në dëshminë përpara hetuesve italianë, tashmë është konfirmuar edhe një pistë që ka qarkulluar në mediat e vendit fqinj, se Davide Pecorelli është koleksionues.

E për të konfirmuar këtë, ai u ka thënë prokurorëve se po kërkonte “thesar monedhash”.

Pecorelli ka pranuar problemet ekonomike, dhe kjo ishte arsyeja kryesore që ai u zhduk duke inskenuar vdekjen e tij në Shqipëri. Kujtojmë se për herë të fundit ai ishte parë në Pukë në fillim të muajit Janar.

Biznesnmeni pohoi se në Tetor kishte planifikuar që të kthehej në shtëpi, pavarësisht se u demaskua përpara kohe. Sipërmarrësi italian u zbulua pasi u detyrua të njoftonte autoritetet për shkak të defektit që i pësoi gomonia në det pranë ishullit Monte Cristo.

Ndërsa javën e kaluar, ai kishte përdorur kartën e bankës për të tërhequr para nga një bankomat në Romë.

Pas marrjes në pyetje, mbrëmë Pecorelli pranoi për gazetarët italianë se është i vetëdijshëm që edhe në Shqipëri ka kryer vepër penale, pasi i vendosi zjarrin makinës që kishte marrë me qira dhe brenda mjetit u gjetën mbetje kockore. Këto mbetje nuk janë identifikuar ende kujt i përkasin, por dyshohet se janë marrë nga një varr i vjetër në Pukë.

Kush i vuri flakën makinës? Pse ky inskenim?

“Ajo që është e sigurt” tha Pecorelli “është se unë kurrë nuk do të jem një sipërmarrës përsëri në Itali. Nëse do t’i bëja të gjitha këto për sigurim? Jo, unë nuk kam nevojë të arrij deri këtu”.

Tani ai do të shkojë në shtëpi te familja e tij. “Unë nuk kam qenë në kontakt me askënd muajt e fundit” – thotë ai – “të dashurit e mi më panë përsëri kur u ktheva nga ishulli Montecristo.

Kam kaluar tetë muaj në një komunitet priftërinjsh pranë Medjugorje (Bosnje). Në Shqipëri kam kryer edhe krime. Por unë i thashë gjithçka prokurorit, ata do t’i bëjnë të ditura detajet” deklaroi ai.  /albeu.com/

 

 


Shtuar 21.09.2021 11:58