Mori 2 mijë € për të liruar një person që e kapi me drogë, SPAK dërgon për gjykim oficerin, Sokol Canameti

Mori 2 mijë € për të liruar një person që e kapi me drogë, SPAK dërgon për gjykim oficerin, Sokol Canameti.  Dosja ndaj ish-policit është dërguar në gjykatë për akuzën Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

Sipas SPAK ai akuzohet akuzohet nga SPAK se ka kërkuar ryshfet 2000 euro, në këmbim të lehtësimit të pozitave ligjore të një të arrestuari për prodhim dhe shitje narkotikësh në tetor të vitit 2022.

Nënkomisari Sokol Canameti, nga Burreli, është vënë në pranga, pasi me anë të kërcënimeve i kishte marrë një shumë prej 2 mijë eurosh, të kërkuarit për trafik droge.

Në këmbim të lirisë, Canameti ia ka marrë shumën e parave të riut me inicialet E. K.

Ka qenë i riu i akuzuar për drogë, ai i cili kishte lajmëruar babanë e tij, duke i kërkuar që të gjente paratë për t’ia dhënë ‘shefit’ të Policisë që ky ta linte të lirë. Nënkomisari Sokol Canameti i kishte thënë të riut të ndaluar për drogë, se do ta gjente kudo që të futej, për t’ia marrë paratë.

Njoftimi nga SPAK

Nga tërësia e hetimeve të kryera në kuadër të këtij procedimi dhe provat e grumbulluara provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se, më datë 10.10.2022 të pandehurit Flatin Kuzari dhe Erjon Kuzari, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë dhënë shumën prej 235.000 (dyqind e tridhjetë e pesë mijë) lekë oficerit të policisë gjyqësore Sokol Canameti, në këmbim të lënies së lirë, të shtetasit Erjon Kuzari i cili ishte kapur nga autoritetet e policisë në posedimin e një sasie lënde narkotike të dyshuar si kokainë një ditë më parë, pra në datë 09.10.2022.

Oficeri i policisë gjyqësore Sokol Canameti, duke shfrytëzuar funksionin e tij, me rol në procedurën e shoqërimit të një personi të dyshuar të kapur me lëndë narkotike, e duke qenë referues i veprës penale në prokurori, ka abuzuar duke ushtruar presion, se do ta arrestonte shtetasin Erjon Kuzari, nëse ai nuk do ti jepte shumën prej 2000 eurosh.

Pra ai ka kërkuar që kjo shumë ti dorëzohej brenda ditës, duke vendosur dhe orar. Ai është takuar me babain e Erjonit, shtetasin Flatin Kuzari, i cili në kushte të vështira ekonomike, e kishte siguruar këtë shumën duke e marrë hua, tek të njohur të tij, dhe rreth orës 19.00 të datës 10.10.2022, ia ka dhënë këtë shumë oficerit të policisë gjyqësore në afërsi të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Hetimet e këtij procedimi janë kryer nga oficerët e policisë gjyqësore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Policore dhe hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, nën drejtimin dhe kontrollin e prokurorit të posaçëm.

/albeu.com/


Shtuar 25.07.2023 13:06