Këtë të hënë, deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, është paraqitur në ambientet e SPAK nën shoqërinë e vajzës së saj, Bora Meta.
E pyetur nga gazetarët, Kryemadhi u shpreh se është paraqitur për të marrë dosjen për ditën e nesërme, ku edhe parashikohet të zhvillohet seanca në Apel, për masën e sigurisë ndaj saj dhe ish-bashkëshortit, Ilir Meta.
Më 2 nëntor Kryemadhi ankimoi masën e sigurisë, duke nisur në GJKKO kërkesën e saj përmes postës.
Po kështu, më 4 nëntor avokati i ish-Presidentit Ilir Meta, dorëzoi ankimimin kundër vendimit të arrestit me burg.
Ish-çifti presidencial Meta e Kryemadhi po hetohen për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie. Do të jetë gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme të Apelit Igerta Hysi, e cila do të marrë në shqyrtim kërkesat e ish-Presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi.