“Moment i rrezikshëm”, Berisha për sulmin kibernetik: Janë publikuar 105 mijë emra shqiptarësh të hetuar nga policia

Ish-kryeministri Sali Berisha, në një deklaratë për mediat gjatë ditës së sotme është shprehur se Shqipëria është në një moment shumë të rrezikshëm pas publikimit të sotëm MEMEX i Policisë së Shtetit.

“Homeland Justice” publikua sot të dhëna, ndërsa Berisha shtoi se janë publikuar 105 mijë emra shqiptarësh, të dyshuar, të hetuar nga policia për krime të llojëve të ndryshme.

Pjesë nga deklarata:

Denoncoj vendosjen nën kontroll të plotë nga krimi shtetëror i të gjitha të dhënave të këtij vendi, me gjithë mohimet e papërgjegjshme të kreut të këtij shteti, që funksionon si një shtet i mafies. Njoftimi i mëparshëm rezulton 100 përqind i vërtetë.

Sot, nga sistemi MEMEX, i cili përbën kartotekën e punës 30-vjeçare të Policisë së Shtetit, janë publikuar 105 mijë emra shqiptarësh, të dyshuar, të hetuar nga policia për krime të llojeve nga më të ndryshmet. Nga sistemi janë ekspozuar emrat në mënyrë që të paralajmërohen të gjithë ata që janë në vëzhgim, janë në hetim, janë në shqyrtim për aktivitete të ndryshme kriminale. Është ky një moment jashtëzakonisht i rrezikshëm për vendin.

Është ky një moment që dëshmon se çdo gjë në këtë shtet të mafias, ndodhet në duart e krimit. Është ky një moment, në të cilin Shqipëria bëhet vendi më i rrezikshëm në Ballkan dhe Europë, pasi paralajmëron kështu, kontigjentet e delikuenteve të saj se janë në ndjekje dhe mbikëqyrje policore, dhe se ata për të shpëtuar, duhet të largohen.