Të tjera detaje janë zbardhur për arrestimin e Ergys Agasit një ditë më parë. Sipas burimeve, mësohet ka qenë fillimisht një patrullë policie në Elbasan që ka pikasur mjetin, me të cilin lëvizte Agasi dhe Uljan Shpataraku dhe u janë vënë në ndjekje.
Më pas, është organizuar puna dhe janë shtuar forcat operacionale për ta ndaluar në momentin më të përshtatshëm.
Të lidhura
Ndjekja ka vijuar drejt Peqinit, Rrogozhinës dhe më pas drejt Durrësit derisa u ndaluan në zonën e Plepave. Drejtues i mjetit ishte ish efektivi Uljan Shpataraku, i besuari ish drejtorit të Përgjithshëm të Policise se Shtetit, Ilir Proda.
Mësohet se në makinën me të cilën po udhëtonin Agasi dhe Shpataraku gjatë kontrollit iu gjetën rreth 4 mijë euro.
SPAK i ka sekuestruar edhe një automjet luksoz, ‘Land Rover Defender’, i cili ishte i parkuar në garazhin e një prej vilave te “Equos Resort”.
Arrestimi
Agasi u arrestua dje (26 gusht), ndërsa ishte shpallur në kërkim nga SPAK në dhjetor 2025.
Ai u lokalizua teksa udhëtonte me një automjet, së bashku me ish policin, Uljan Shpataraku, i cili gjithashtu u arrestua gjatë operacionit.
Sipas SPAK, ai dyshohet për një sërë veprash penale në kuadër të hetimit për procedurat e prokurimit të AKSHI-t, përfshirë konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, heqjen e paligjshme të lirisë, shkeljen e barazisë në tendera dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
Akuzat ndaj Agasit
Siaps Prokurorisë së Posaçme ndaj Ergys Agasit rendojne 7 akuza, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Njoftimi djeshëm (26gusht ) i SPAK për arrestimin e Agasit
Pas një pune disa javore në bashkëpunim të ngushtë me strukturat operacionale të specializuara të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, sot më datë 26.8.2026, u bë i mundur arrestimi i shtetasit Ergys Agasi, në hyrjen jugore qytetit të Durrësit, në zonën e Plepave, në autostradë. Në momentin e arrestimit ky shtetas shoqërohej nga shtetasi, U. Sh, ish punonjës policie, i cili është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” e parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijon hetimet për procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025, për të cilin, më datë 05.12.2025, ka regjistruar edhe emrin e shtetasit Ergys Agasi. Ky shtetas po hetohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 244 paragrafi i dytë i K. Penal.
Ndaj personit nën hetim dhe konkretisht shtetasit Ergys Agasi, me vendimin nr. 125 datë 15.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Pare Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale. Vendimi i gjykatës është dërguar menjëherë për tu ekzekutuar nga strukturat e Policisë së Shtetit me shkresën nr. 43104 prot, dt.17.12.2025.



