Mjekët marrin sot dozën e tretë të vaksinës, Manastirliu: Tek kush grupe qytetarësh është e nevojshme (VIDEO)

Ka nisur ditën e sotme vaksinimi i mjekëve me dozën e tretë të vaksinës anti-covid në “Air Albania Stadium”.

Gjatë nisjes së këtij procesi, ka qenë e pranishme vetë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila i ka ndjekur zhvillimet nga afër.

Vaksinimi me dozën e tretë, apo dozën “booster”, siç quhet, do të jetë specifik vetëm për disa kategori të caktuara qytetarësh, mes tyre edhe mjekët e vijës së parë të frontit.

“Kemi filluar menjëherë me grupet që janë më të rrezikuara, që janë mjekët, infermierët dhe sot në të gjithë qendrat shëndetësore aty ku mjekët, infermierët punojnë, por edhe gjithashtu në strukturat tona të vaksinimit të përqendruar tashmë ka filluar vaksinimi me dozën e tretë booster për personelin mjekësor. Nga ana tjetër paralelisht ka filluar vaksinimi me dozën booster për të gjithë ata qytetarë të grupmoshës +60 vjeç dhe sigurisht për +18 vjeç me problematika shëndetësore”, tha Manastirliu.

Duke ritheksuar se është ulur grup-mosha për vaksinimin në 16 vjeç dhe për fëmijët +12 vjeç me problematika të sistemit imunitar, Manastirliu tha se do të vijojë furnizimi me vaksina për të garantuar vaksinimin e qytetarë gjatë këtij viti por edhe vitin tjetër.

“Ne do të vijojmë furnizimin me vaksina ashtu sikurse kemi bërë deri më sot. Po vijojmë të negociojmë me kompaninë Pfizer por nga ana tjetër edhe më të gjithë kompanitë të cilat janë në marrëveshje me instrumentin Covax, në mënyrë që të vijojmë të sigurojmë vaksinat për të gjithë qytetarët edhe për raundin e parë dhe të dytë, pra vaksinën e dozës së parë dhe të dytë, por gjithashtu edhe për sigurimin e vaksinave të dozës së tretë, atyre booster përgjatë gjithë këtij viti dhe vitin tjetër,” tha Manastirliu.

Ndërkohë që Drejtoresha e ISHP, Albana Fico dhe Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Prof. Arben Gjata kanë bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen.

“Ne jemi shumë të interesuar që çdo qytetar i cili nuk e ka kryer vaksinën duhet të vijë, të fillojë me procesin e vaksinimit, sepse ndërkohë që ne shkojmë përpara për mbrojtjen e mëtejshme të popullatës është tejet e rëndësishme të rritet numri i të vaksinuarve për të parandaluar problematika me viruse ose shtame të reja”, tha Fico.

“Fakti që sot shumë prej mjekëve po vaksinohen për herë të tretë pikërisht tregon që vaksina është masa më e mirë mbrojtëse dhe derisa janë mjekët që pranojnë të vaksinohen, ju bëjmë thirrje të gjithë qyetearëve të vaksinohen sepse është e vetmja mënyrë që ulë në maksimum risqet që sjellë kjo sëmundje e rëndë”, bëri thirrje prof. Gjata.

Aplikimi i dozës së tretë ‘booster’ do të bëhet për stafet mjekësore, për personat që jetojnë në institucione të kujdesit afatgjatë, për të gjithë personat mbi 60 vjeç me sëmundje kronike. Doza booster duhet të ofrohet jo më parë se 6 muaj pas përfundimit të vaksinimit me dozën e dytë.

Dozë të tretë do të marrin edhe personat me frenim të imunitetit, sipas rekomandimit të mjekut të familjes. Sipas udhëzimit të ISHP, vaksinimi ka nisur edhe për fashën 12-15 vjeç me sëmundje kronike dhe frenim të imunitetit si dhe për grup-moshën 16-18 vjeç./albeu.com/