Nuk është Mjekësia, as Juridiku apo Ekonomiku dega më e kërkuar nga maturantët, por Shkencat Informatike.Trendi i viteve të fundit duket se ka arritur majën këtë vit.
Të rinjtë kanë kthyer sytë nga Shkencat Inxhinierike, duke lënë pas degët historikisht të preferuara e lakmuara në masë.Këtë e thonë statistikat e para të kalkuluara më mbylljen e raundit të parë të aplikimeve në universitete.Në fund të muajit priten fituesit e parë të konkurrimit që zgjat deri në fund të majit nëntor më ezaurimin e vendeve që do të kenë mbetur të lira deri atëherë.
PREFRENCAT
Çereku i maturantëve që kanë plotësuar formularin A2 ose më konkretisht 5300 të rinj kanë shprehur dëshirën për të studiuar një nga programet e IT-së: Inxhinieri, Teknologji apo Shkenca Informatike.
“Jo vetëm Teknologjia e Informacionit që ka 2% të aplikimeve më shumë, por edhe degë të tjera inxhinierike kanë një rritje domethënëse”, shprehet drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar (RASH), Arjan Xhelaj, teksa shton se këtë vit si rrallëherë, mjekësia i ka lëshuar stafetën e vendit të parë degëve inxhinierike, duke kaluar në vend të dytë, ndërsa të tretat në listën e preferencave të të rinjve janë degët ekonomike.
“Mjekësia e Përgjithshme ka një rritje duke pasur parasysh që këtë vit janë rritur me 100 kuotat si për mjekësinë dhe për infermierinë. Po ashtu, vijon një interes i mirë për mësuesinë që renditen në rend të katërt. Në rend të pestë janë degë profesionale, degët 2- vjeçare ku kemi 8.2 për qind të aplikimeve”, shton drejtuesi i RASH-it, i cili ka nën administrim portalin “u-Albania” që ndërmjetëson shkollat e mesme me universitetet.
GARA
Përpos ndryshimit të trendit të aplikimeve, ajo që bie në sy sivjet është numri i ulët i kandidatëve për universitet shqiptare, rreth 21 mijë aplikues nga 31 mijë që është numri i maturantëve të këtij brezi.
Nga ky total, 11 mijë prej tyre kanë shënuar në formularin A1 që kanë ndërmend të aplikojnë për studime jashtë vendit, pavarësisht se Qendra e Shërbimeve Arsimore ka deklaruar se vetëm tre mijë prej tyre janë pajisur me diplomë, si dhe kanë legalizuar dokumentet e shkollës së mesme.
Me përfundimin e aplikimeve për raundin e parë, universitetet publike dhe private, kanë nisur përllogaritjen e pikëve për çdo kandidat, referuar rezultateve të gjimnazit, notave të Maturës Shtetërore dhe kritereve të vendosura nga shkollat e larta për çdo program studimi.
Në 30 gusht, universitetet shpallin listën e fituesve përmes portalit “u-Albania”, për të nisur më pas procesin e regjistrimit në shkollat e larta, sipas raundeve të ndryshme që mundësojnë lëvizjen e listës. Risi e këtij vit është fakti që shifrën e aplikuesve janë përfshirë edhe maturantët nga Kosova, të cilët sivjet hyjnë në garë të barabartë me të rinjtë nga Shqipëria./Panorama