Është fare pak e njohur, por me vlera të jashtëzakonshme historike. Bëhet fjalë për kishën e “Shën Mitrit”, e cila ndodhet në fshatin Bukmirë të Mirditës. Banorët në zhargon i thonë “kisha e Shmetrit”
Ky objekt kulti i cili është shembur thuajse plotësisht i përket shekullit të 13 dhe është ndër më të vjetrit në zonën e Mirditës, qendër e katolicizmit në Shqipëri.
“Ka mbi 800 vjet që është kjo kishë. Në Bukmirë ka qenë e populluar që në kohën ilire, se janë gjetur varre ilire. Këtu ka qenë qendra kishtare e gjithë trevës, këtu kanë pasur edhe varrezat. Muri rrethues ka një emër që quhet muri shmetrit që është 1 metër i lartë”, tha Llesh Prenga, banor i Bukmirës.
Nuk është monument kulture i mbrojtur nga shteti, por banoret kërkojnë që objekti i kultit të rindërtohet në themelet e kishës 800 vjeçare. Kërkesa i adresohet të gjitha institucioneve, si Dioqezës, Bashkisë dhe Ministrisë.
“Unë mbaj shpresë nga pushteti lokal. Do t’i drejtohemi me shkresë kryetarit të bashkisë Mirdite dhe Ipeshkvit dom Gjergj Meta, se është gjynah të mbetet gërmadhë”, tha me tej Llesh Prenga.
Mirdita është një zonë e pasur me objekte kulti qindravjeçare, por pjesa më e madhe e tyre ndodhen në gjendje të mjerueshme për shkak të mungesës së përkujdesjes.