Miratimi i rezolutës anti-korrupsion, Meta: Poshtërim ndaj të ashtuquajturës Reformë në Drejtësi

Kuvendi miratoi me votat e socialistëve rezolutën për luftën ndaj korrupsionit, e cila u kundërshtua nga opozita, ndërsa pjesa dërrmuese e ligjvënësve demokratë nuk morën pjesë në votim.

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e ka quajtur rezolutën poshtërim të Reformës në Drejtësi. Gjithashtu Meta thotë se kjo Reformë punon me regji.

Ilir Meta: Ramaforma i ka vendosur nën kontroll absolut institucionet e drejtësisë duke i kthyer në shtojca të mazhorancës aktuale që veprojnë vetëm me regji për të garantuar pandëshkueshmërinë e Edi Ramës përgjegjësit dhe përfituesit të korrupsionit të përbindshëm shtetëror.  Rezoluta është një tjetër poshtërim i tij ndaj të ashtuquajturës reformë në drejtësi që punon vetëm me diktat dhe regji. Çdo veprim i drejtësisë të re ka qenë shumë i vonuar, selektiv dhe vetëm si presion i denoncimeve të forta dhe konkrete të opozitës.

Me 76 vota pro, 2 kundër dhe asnjë abstenim është miratuar pasditen e sotme rezoluta anti-korrupsion e PS.

Kundër votuan Agron Shehaj dhe Dashnor Sula. Të gjithë deputetët e tjerë të opozitës nuk morën pjesë në votim./albeu.com


Shtuar 27.05.2024 20:41