Mbrëmjen e sotme do të zhvillohet miqësorja e luksit me Kombëtares “kuq e zi” dhe asaj të Italisë në stadiumin “Air Albania”.
Për këtë ndeshje ka pasur një interesim të jashtëzakonshëm të tifozëve, kjo për shkak edhe të lidhjes së ngushtë së shqiptarëve me Italinë.
Sa i përket pjesëmarrjes, stadiumi do të jetë i mbushur me kapacitet të plotë, pra rreth 22 mijë tifozë.
Policia ashtu si në cdo prag ndeshje ka bërë publike masat që do të marren, si për brenda dhe jashtë stadium.
Njoftimi:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Policia e Tiranës, plan masash për ruajtjen e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes miqësore të futbollit midis Shqipërisë dhe Italisë, ndeshje e cila do të zhvillohet ditën e sotme, më datë 16.11.2022, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”.
Masat e marra nga Policia e Tiranës përfshijnë jo vetëm ambientet e stadiumit, por edhe perimetrin jashtë tij.
Në këtë kuadër do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore gjatë kalimit të tifozëve, nga ora 18:00 deri në përfundim të aktivitetit, konkretisht do të bllokohen:
– rruga “Lekë Dukagjini”, përreth stadiumit; rruga “Dervish Hima”; rruga “Gjergj Filipi”; rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.
Sheshi “Nënë Tereza” nuk do të ketë bllokime të lëvizjes.
Policia do të garantojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të përcaktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar.
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive, për zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete, në segmentet rrugore të lartpërmendura, nga ora 18:00 deri në përfundim të aktivitetit.
Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve, para hyrjes në stadium, për sende të kundërligjshme (si armë, sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë, lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.
Nuk do të lejohen të futen në stadium, persona të papajisur me dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, të pashoqëruar nga prindi apo kujdestari.
Gjithashtu, nuk do të lejohen të futen në stadium tifozët, që në aktivitete të mëparshme sportive, janë të identifikuar nga Policia, si problematikë.
Policia e Tiranës apelon edhe njëherë për tifozëritë e të dyja skuadrave, që të zbatojnë rregullat dhe ligjin./albeu.com