Ministrja Ibrahimaj flet për hakërrimin e institucioneve nga iranianët: Dëmet janë të riparueshme, nuk mund t’i ndalim dot sulmet kibernetike

Sulmet kibernetike nga hakerat iranianë të “Homeland Justice”, nuk kanë shkaktuar dëme të pariparueshme, por ato nuk mund të ndalen përveçse të përmirësohet teknologjia për të shmangur dëmet.

Kështu u shpreh sot pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Delina Ibrahimaj, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, duke iu përgjigjur interesit të mediave.

Të lidhura

None found

Teksa njoftoi edhe miratimin e një projektligji të ri në Qeveri që lidhej me sigurinë e të dhënave personale dhe mbrojtjen kibernetike, ajo tha se “e rëndësishme është që nuk ka dëme të riparueshme nga këto sulme”.

“Nuk ka pasur dëme të pariparueshme në sisteme, nuk janë marrë të dhëna. E rëndësishme është se nuk ka dëme të pariparueshme. Qëllim është vëzhgimi dhe kontrollimi i të gjitha sulmeve kibernetike në vazhdim. E ardhmja është dixhitale. Infrasktruktura e ngritur në kohë rekord që nga sulmi i parë iranian vite më parë është infrastrukturë me nivel të lartë. Por ne nuk mund t’i ndalojmë dot sulmet kibernetike, kjo sa i përket sigurisë kibernetike, por ne mund të monitorojmë dhe parandalojmë që të mos ketë dëme të riparueshme”, tha Ibrahimaj mes të tjerash.

E pyetur për sulmin ndaj AKSHI-t, ku është raportuar se janë vjedhur një sasi e madhe e të dhënave personale të qytetarëve por dhe institucioneve, Ibrahimaj e mohoi, duke deklaruar se deri tani nuk ka konkluzion zyrtar dhe penal nga Prokuroria dhe Gjykata se këto të dhëna janë përdorur nga keqbërësit.

“Fakti që të dhënat janë përdorur për interes privat është një opinion. Nuk jam në dijeni të këtij informacioni nga ana e Prokurorisë dhe kur Prokuroria e Gjykata të dalë me një qëndrim atëherë do kemi opinion të plotë.

Monitorimi është i vazhdueshëm, sulmet janë gjithmonë me instrumente të reja teknologjike dhe ne jemi të fokusuar këtu, që të mos ketë goditje të pariparueshme”, tha ministrja socialiste.


Shtuar 1.04.2026 13:58