Ministrja e Sportit të Francës fajëson tifozët e Liverpoolit për trazirat dhe vonesën e finales

Ministrja e Sportit të Francës, Amelie Oudea-Castera, ka fajësuar tifozët e Liverpool-it pa bileta për skenat tronditëse jashtë Stade de France në prag të finales së Champions League të shtunën mbrëma.

Ndeshja mes Liverpoolit dhe Real Madridit në Paris nisi me 36 minuta vonesë pasi mijëra tifozë të “Reds” patën vështirësi të futeshin në stadium, pavarësisht se dukej se kishin mbërritur me shumë kohë në dispozicion.

Kishte skena jashtëzakonisht shqetësuese jashtë stadiumit, pasi tifozët u mbajtën në kushte të vështira nga policia dhe u spërkatën me gaz lotsjellës.

“Ajo që ndodhi, para së gjithash, ishte ky tubim masiv i mbështetësve britanikë të klubit të Liverpool-it, pa bileta, ose me bileta false”, tha Oudea-Castera gjatë një interviste për radion franceze “RTL” të hënën.

“Kur ka kaq shumë njerëz në hyrje të stadiumit, do të ketë njerëz që përpiqen të hyjnë me forcë nga dyert e Stade de France dhe një numër i caktuar të rinjsh nga zona e afërt që ishin të pranishëm u përpoqën të hynin brenda, duke u përzier me turmën”.

UEFA, organizatorët e të gjithë ngjarjes, në thelb mbështeti pretendimet e ministres të sportit.

Liverpool që atëherë ka bërë thirrje për një hetim zyrtar mbi ngjarjet, duke përmendur ‘çështje të papranueshme’ për mbështetësit e klubit të tyre./ h.ll/albeu.com