Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, tha të hënën se numri i pjesëtarëve të njësive speciale të Forcave të Armatosura Serbe do të rritet nga 1.500 në 5.000 deri në fund të vitit 2023. Një vendim i tillë erdhi, tha ai, “me urdhër” të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në deklaratën e publikuar nga Ministria e Mbrojtjes, Vuçeviq nuk ka dhënë arsye konkrete për këtë vendim, përveç se tha që Forcat e Armatosura Serbe do të jenë “grushti më i fortë që do të copëtojë dëshirat dhe qëllimet e këqija” të atyre që “dëshirojnë ta dëmtojnë popullin tonë”.
“Dua ta informoj opinionin e Serbisë dhe jo vetëm të Serbisë, se mbrëmë gjeneral [Milan] Mojsiloviq, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, dhe unë morëm një detyrë, një urdhër nga Presidenti i Republikës si Komandant i Përgjithshëm [Aleksandar Vuçiq], për të rritur numrin e pjesëtarëve të njësive speciale në Ushtrinë Serbe deri në fund të vitit 2023”, tha Vuçeviq.
Vuçeviq tha se ushtria serbe do të ketë 5.000 ushtarë të trajnuar dhe të përgatitur me armët më moderne, të gatshëm “për të mbrojtur atdheun, për të kryer çdo detyrë në çdo kohë dhe në çdo pjesë të territorit tonë”.
Ata do të jenë të gatshëm t’u përgjigjen të gjitha sfidave me të cilat përballet atdheu ynë, shtoi Vuçeviq.
Ky vendim vjen një ditë pasi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Milan Mojsiloviq, tha se në mbrëmjen e 25 dhjetorit ka pasur një takim me presidentin e Serbisë dhe udhëheqjen ushtarake lidhur me ngjarjet në Kosovë. Pas atij takimi ai shkoi në Rashkë, në jug të Serbisë.
Mojsiloviq tha për televizionin Pink se situata në Kosovë është e tillë që kërkon praninë e ushtrisë serbe përgjatë, siç ka thënë ai, “vijës administrative”.
Të dielën në mbrëmje, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se ka “dëgjuar dhe parë të shtëna armësh” pranë një prej patrullave të saj në Zubin Potok – një nga katër komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe.
Mediat në Serbi kanë raportuar të dielën se rreth orës 19:45 janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri në Zubin Potok dhe se kjo ka ndodhur pasi policia e Kosovës “dëshiroi të heqë njërën nga barrikadat” e ngritura nga serbët më 10 dhjetor. Ky informacion është mohuar nga Policia e Kosovës.
Situata e tensionuar në veri të Kosovës që nga muaji nëntor është përshkallëzuar pas arrestimit të ish-policit me kombësi serbe, Dejan Pantiq – i cili dyshohet për sulmin e 6 dhjetorit në zyrën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Për të kundërshtuar arrestimin e tij, grupe të qytetarëve serbë në veri ngritën barrikada qysh më 10 dhjetor. Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë – këto dy pika janë mbyllur për qarkullim.
Autoritetet në Kosovë thanë se kanë kapacitete për largimin e barrikadave të ngritura në veri, por se i kanë dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal që t’i largojë vetë ato./REL