Ministria e Mbrojtjes ka bërë publike gjendjen më të fundit të zjarreve në territorin e Shqipërisë, bazuar në të dhënat operative të mbledhura deri në orën 20:00 të datës 29 gusht 2026.
Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar gjithsej 16 vatra zjarri. Prej tyre, 5 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 2 të tjera janë vendosur nën monitorim.
Të lidhura
None found
Për menaxhimin e situatës në terren janë mobilizuar 228 forca operacionale, 10 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 75 efektivë të Forcave të Armatosura.
Vatra e zjarrit në Qafë-Priskë, Dajt, ka shfaqur riaktivizime. Në këtë zonë po veprojnë 25 forca zjarrfikëse/AZM, 20 efektivë të FA dhe 2 helikopterë.
Në Vajkal të Bulqizës, zjarri vijon të përhapet në një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre dhe dëllinja. Për përballimin e situatës janë angazhuar 31 forca vendore/vullnetare, 30 efektivë të FA dhe 1 helikopter.
Edhe në Sllatinë të Dibrës mbetet aktive një vatër në zonë pyjore. Në operacion kanë marrë pjesë 78 forca në terren dhe 1 helikopter, ndërsa zonat e banuara nuk paraqiten të rrezikuara.
Vatra e Qafës së Helmësit, në Bulqizë, po monitorohet dhe nuk ka shfaqur zhvillime të reja. Ajo nuk përbën rrezik për banesat.
Në Kroi i Madh, Krujë, ndërhyrja po vijon me 2 automjete zjarrfikëse. Sipas të dhënave të fundit, situata në këtë zonë po shkon drejt normalizimit dhe shuarjes së plotë.
Vatrat në malin e Dardhës, Librazhd, dhe në malin e Qukësit, Prrenjas, janë nën mbikëqyrje dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Zjarret në Komsi të Matit dhe në Delisuf të Vlorës janë shuar tërësisht.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po e ndjek situatën në mënyrë të vazhdueshme në të gjithë vendin, në bashkëpunim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Forcat dhe kapacitetet operacionale vijojnë të jenë të pranishme në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me fokus mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
