Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme informon qytetarët shqiptarë se, duke filluar nga data 10 prill 2026, në 29 vendet e hapësirës Shengen hyn në funksion të plotë Sistemi Evropian i Hyrjes/Daljes (Entry/Exit System – EES).
Ai zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave me regjistrimin elektronik të hyrjeve dhe daljeve të shtetasve nga vendet jo-anëtare të Bashkimit Evropian.
Të lidhura
None found
Sistemi EES, i cili ka nisur të zbatohet pjesërisht që prej tetorit 2025, do të aplikohet për të gjithë shtetasit që udhëtojnë për qëndrime afatshkurtra, deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore, në zonën Shengen.
Qytetarët duhet të kenë parasysh se në hyrjen e parë pas datës 10 prill 2026, në pikën kufitare do të regjistrohen:
– të dhënat e pasaportës;
– fotografia e fytyrës;
– gjurmët e gishtërinjve.
Refuzimi për të dhënë të dhënat biometrike sjell refuzimin e hyrjes në territorin Shengen. Në fazën fillestare të zbatimit mund të ketë vonesa në aeroporte, porte dhe pika kufitare tokësore; për këtë arsye, qytetarët këshillohen të paraqiten më herët për udhëtim.
Pasaporta duhet të jetë e vlefshme dhe në gjendje të mirë fizike, ndërkohë që nuk kërkohet aplikim paraprak për EES; sepse regjistrimi kryhet në momentin e kalimit kufitar.
Gjithashtu, sistemi i ri nuk ndryshon rregullin ekzistues të qëndrimit: maksimumi 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme rekomandon që qytetarët të informohen paraprakisht mbi procedurat e reja dhe të planifikojnë udhëtimet e tyre duke marrë në konsideratë kohën shtesë të nevojshme për kontrollet kufitare.
