Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës ka “përgënjeshtruar” presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, pas deklaratës së tij rreth përfshirjes së Ukrainës në raportimin rreth minimit të avionëve serbë.
Kështu ka deklaruar për “European Truth”, zëdhënësi i ministrisë ukrainase të Punëve të Jashtme, Oleg Nikolenko.
“Ne hedhim poshtë kategorikisht akuzat e pabaza të bëra nga presidenti i Serbisë. Pretendimet e tij për përfshirjen e pretenduar të Ukrainës në raportet se linjat ajrore serbe që fluturonin për në Rusi ishin minuar janë të pavërteta”, tha ai.
Tutje, ministria në fjalë është shprehur e zhgënjyer që Serbia nuk i është bashkuar ende sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë për luftën e saj në Ukrainë.
Ata i kanë bërë thirrje Beogradit që t’i bashkohen botës demokratike.
“Rusia çdo ditë godet qytetet ukrainase me raketa dhe bomba, vret civilë dhe shkatërron infrastrukturën civile. Sanksionet e ashpra dhe uniteti i botës demokratike mund ta ndalojnë këtë luftë. Ne i bëjmë thirrje Beogradit të ngrihet në këmbë për të vërtetën dhe të mbështesë plotësisht Ukrainën dhe të mbështesë vlerat mbi të cilat u krijua një Evropë e bashkuar demokratike”, tha Nikolenko.
Më herët, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se të dyja vendet fshiheshin pas raporteve për minimin e avionëve serbë që fluturonin drejt Rusisë.
Edhe pse jo anëtare e BE-së, Serbia i ka lënë avionët rusë të lirë të kalojnë në hapësirën ajrore të saj, duke u bërë kështu vendi i vetëm ballkanik që mbeti i hapur ndaj Rusisë.
“Air Serbia”, kryesisht shtetërore, fillimisht kishte dyfishuar numrin e fluturimeve direkte nga Moska në Beograd në 15 në javë për të përmbushur kërkesën në rritje të shpejtë. Mirëpo, për shkak të kritikave të ashpra, Serbia i është rikthyer numrit të fluturimeve të paraluftës drejt Rusisë, shkruan Pravda./albeu.com