Ministria e Punëve të Brendshme, ka nisur rishikimin e kuadrit ligjor për shërbimin zjarrfikës, ku pritet të shqyrtohet edhe kriteri i moshës për pranimin e kandidatëve.
Ministri Besfort Lamallari, e bëri të ditur këtë gjatë një takimi me të rinj që shfaqin interes për këtë profesion dhe me profesionistë shqiptarë që prej vitesh punojnë si zjarrfikës në Finlandë dhe Gjermani.
Të lidhura
None found
“Kemi nisur punën për përmirësimin e bazës ligjore për një sistem sa më efektiv, parandalues dhe mbrojtës kundër zjarrit në vend, përfshi dhe rishikimin e kriterit moshor për pranimin në shërbim”, deklaroi Lamallari.
Diskutimet u përqendruan te nevoja për një reformim të plotë të legjislacionit dhe te rritja e aftësive profesionale të strukturave zjarrfikëse.
Në hartimin e ndryshimeve do të merret parasysh edhe përvoja e shqiptarëve që e ushtrojnë këtë profesion në vendet e Bashkimit Europian.
Lamallari shprehu vlerësim për Albanin, Bojkenin dhe Angjelen, të cilët punojnë në Finlandë, si edhe për Greinin dhe Luçianos, që shërbejnë në Gjermani.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, lidhjet me profesionistët shqiptarë që ndodhen jashtë vendit do të vijojnë përmes trajnimeve, shkëmbimit të eksperiencave dhe bashkëpunimit me shërbimet homologe europiane.
Një tjetër drejtim i rëndësishëm do të jetë afrimi i të rinjve që duan të bëhen pjesë e shërbimit zjarrfikës.
