Ministri Sveçla i prerë: Nëse Vuçiç futet pa leje në Kosovë, do të arrestohet

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka komentuar deklaratën e para disa ditëve të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se shumë shpejt do ta vizitojë Kosovën. Po të hyjë pa leje në Kosovë, Sveçla tha se do ta arrestojnë Vuçiçin.

“Për me leje, te Kryeministri, për pa leje te unë”, ka deklaruar Sveçla në ATV.

I pyetur se a po thotë se do ta arrestonin Vuçiçin, Sveçla tha se kushdo që futet pa leje në territorin e Kosovës do të arrestohet, përfshirë edhe presidentin serb.

Lexo edhe: Vuçiç në Kosovë? Presidenti serb përplaset me gazetarin: Do vij, nuk e pyes Kurtin

“Është çështje vendimmarrëse e Kryeministrit në qoftë se ka kërkesë, a i jep leje apo jo Vuçiçit. E, për pa leje, pastaj dihet cilat institucione merren me të”.

“Nëse futet në Kosovë, pa asnjë dyshim. Si po mendoni ju që dikush, shtetas i huaj mund të futet në Republikën e Kosovës pa lejen e institucioneve të Kosovës.”

Po të ndodhte e kundërta, Sveçla tha se kjo do të dëshmonte jo shtetësi nga ana jonë.

“Cilat janë pasojat? Pasoja është që thjesht nuk ke shtet nëse kreu i shtetit tjetër futet pa leje në territorin tond”, mirëpo, ka deklaruar Sveçla, “unë nuk besoj që Vuçiç është aq i krisur që të vijë në Kosovë pa leje”.


Shtuar 20.09.2023 10:16