Ministri i Jashtëm i Ukrainës: Masakra ruse në Bucha, “maja e ajsbergut”

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha se “tmerret që kemi parë në Bucha janë vetëm maja e ajsbergut të të gjitha krimeve që janë kryer nga ushtria ruse” në Ukrainë deri më tani.

Komentet e Kulebës erdhën sot gjatë një konference për shtyp në Varshavë, gjatë së cilës ai shtoi se tmerret në Bucha, Mariupol dhe vende të tjera kërkojnë sanksione serioze të G7-ës dhe BE-së.

Duke folur së bashku me homologen e tij britanike, Liz Truss, Kuleba bëri thirrje për vendosjen e sanksioneve më të rënda kundër Rusisë, duke kërkuar gjithashtu përjashtimin e saj nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

“Perëndimi vazhdon të ushqejë makinën ruse të luftës me pagesa për lëndë djegëse fosile, me tregtinë që po zhvillohet ende midis Rusisë dhe vendeve perëndimore, me transaksione financiare të kryera përmes bankave ruse që nuk janë shkëputur ende nga SWIFT,” tha ai.

Duke iu drejtuar ministrave të jashtëm që do të marrin pjesë në takimet e NATO-s, BE-së dhe G7 këtë javë, Kuleba tha: “Nëse keni dyshime, ngurrim ose argumente në lidhje me nevojën për të vazhduar të bëni biznes me Rusinë, shkoni fillimisht në Bucha dhe më pas flisni me mua”.

Ai shtoi se Ukraina e ka fituar betejën për Kievin, por tani po përgatitet për një ofensivë të re në shkallë të gjerë nga Rusia në Ukrainën lindore.

“Mund t’ju them pa ekzagjerim, me dhimbje të madhe, se situata në Mariupol është shumë më e keqe në krahasim me atë që kemi parë në Bucha dhe qytete, qyteza dhe fshatra të tjera pranë Kievit,” vazhdoi ministri i Jashtëm./albeu.com