Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Dendias ka zhvilluar një takim me ambasadoren shqiptare Luela Hajdaraga. Takimi u zhvillua në Athinë, ndërsa biseda u përqendrua në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin dypalësh, si dhe zhvillimet rajonale, sipas një postimi përkatës të ministrisë së Punëve të Jashtme greke.
“Unë u takova me ambasadoren e Shqipërisë Luela Hajdaraga. Ne biseduam për bashkëpunimin dypalësh, si dhe zhvillimet rajonale” deklaroi Dendias.
Mediat në Athinë shkruajnë se në këtë takim u diskutua për marrëdhëniet Shqipëri-Greqi dhe perspektivën e thellimit të bashkëpunimit midis dy vendeve në fusha me interes të përbashkët, zhvillimet politike në vendet përkatëse, fillimin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, situata aktuale e pandemisë Covid-19 dhe bashkëpunimi midis vendeve, lehtësimi i lëvizjes në pikat e përbashkëta të kalimit kufitar, si dhe në lidhje me komunitetin shqiptar në Greqi dhe mbështetjen e tij.