Ministri i Jashtëm i Greqisë Georgios Gerapetritis në fjalimin e tij në parlament ka paraqitur aspektet e politikës së jashtme të vendit në katër vitet e ardhshme.
Sa i përket vendeve të Ballkanit Perëndimor ai ka thënë se ka shumë sfida përpara dhe se rreziqet që ekzistojnë janë të shumëfishta, ndërkohë që nacionalizmat ndikojnë në sigurinë e rajonit dhe minojnë perspektivën evropiane të këtyre vendeve.
George Gerapetritis kushtëzoi madje rrugën e Shqipërisë në BE me lirimin e Belerit, kur tha se Shqipëria duhet të respektojë shtetin e së drejtës nëse dëshiron vërtet të bëhet pjesë e familjes europiane.
Ai theksoi se do bëjnë gjithçka për lirimin e Belerit.
“Greqia mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit, sigurisë dhe prosperitetit të Ballkanit Perëndimor dhe 20 vjet pas Samitit të Selanikut do të vazhdojë të marrë iniciativa për të përshpejtuar rrugën e tyre evropiane.
Sidomos në lidhje me Shqipërinë, do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për t’i dhënë fund paraburgimit të vazhdueshëm të kryetarit të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri. Shqipëria duhet të respektojë shtetin e së drejtës nëse dëshiron vërtet të bëhet pjesë e familjes europiane”, u shpreh Gerapetritis në seancën plenare të Kuvendit, në kuadër të debatit për deklaratat programore të qeverisë së re të Mitsotakis.