Agjencia për Media dhe Informim ka reaguar ndaj një statusi të shpërndarë sërish nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, i cili paraqitej si një reagim i Kryeministrit Edi Rama.
Sipas MIA-s, bëhet fjalë për një tekst të falsifikuar, që nuk është publikuar nga kreu i qeverisë dhe që nuk përmban asgjë të vërtetë.
Të lidhura
None found
Agjencia i ka kërkuar deputetes së PD-së ta heqë publikimin dhe t’u kërkojë ndjesë personave që mund të jenë mashtruar nga ky falsifikim.
“Znj. Jorida Tabaku ka ripostuar një status të falsifikuar (fake), i cili i atribuohet në mënyrë të rreme Kryeministrit Edi Rama. Bëjmë me dije se ky tekst nuk është publikuar nga Kryeministri dhe nuk përmban asgjë të vërtetë. Do të ishte e udhës që znj. Tabaku ta tërhiqte ripostimin dhe t’u kërkonte ndjesë atyre që kanë rënë pre e këtij falsifikimi”, shkruan MIA.
Statusi i ripublikuar nga Tabaku lidhej me Ligjin 21/2024 dhe me kërkesën e Parlamentit Europian për shfuqizimin e tij.
Në tekstin e rremë pretendohej se socialistët kishin miratuar një ligj “antikushtetues”, në kundërshtim me mbrojtjen e natyrës dhe integrimin europian. Po aty thuhej se qeveria po e përdorte referendumin si mënyrë për t’iu shmangur përgjegjësisë.
“Kur socialistët votuan një ligj antikushtetues, në kundërshtim me mbrojtjen e natyrës dhe integrimin europian, nuk e pyetën popullin.
Tani që Parlamenti Europian kërkon shfuqizimin e tij, Kryeministri kujtohet për sovranin dhe shpik referendumin si alibi për t’iu shmangur përgjegjësisë.
Prej më shumë se 80 ditësh, qindra mijëra shqiptarë po protestojnë dhe po kërkojnë largimin e tij. A do ta respektojë edhe këtë vullnet?
Demokracia nuk është teke dhe as instrument propagande. Parlamenti Europian nuk po kërkon “pak durim”. Po kërkon shfuqizimin e ligjit!”, thuhej në postimin që i atribuohej Ramës.
Një tjetër pjesë e statusit pretendonte se prej më shumë se 80 ditësh qindra mijëra shqiptarë po protestonin dhe kërkonin largimin e Kryeministrit.
Postimi i kundërshtuar nga MIA përmbante edhe një tjetër deklaratë të atribuar Edi Ramës, sipas së cilës qeveria e vlerësonte interesimin e Bashkimit Europian, por çështja duhej t’i nënshtrohej referendumit.
“Në lidhje me kërkesën e Parlamentit Europian për shfuqizimin e Ligjit 21/2024, dua të jem i qartë:
E vlerësoj interesimin dhe kujdesin e miqve tanë në BE, por ka një lajm më të madh se çdo rezolutë: populli shqiptar ka zgjedhur rrugën e referendumit! 🇦🇱
Kjo është demokracia në veprim. Ne jemi një vend ku sovrani është populli, dhe qeveria nuk i del përpara vullnetit të tij. Prandaj, e respektojmë plotësisht këtë nismë qytetare.
Nëse më pyesin në shtator: ‘Pse nuk e keni shfuqizuar Ligjin?’, do t’u them të vërtetën shumë të thjeshtë:
Sepse populli ka vendosur që të vendosë vetë, dhe e respektoj sovranin!”, thuhej në tekstin e publikuar.
MIA ka theksuar kategorikisht se Edi Rama nuk e ka publikuar këtë deklaratë dhe se përmbajtja është atribuar në mënyrë të rreme Kryeministrit.
