Izet Mexhiti, bashkëkryetar i VLEN-it, ka deklaruar se marrja nën drejtim e Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe Ministrisë së Kulturës shënon një zhvillim me rëndësi për përparimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, si edhe për fuqizimin e institucioneve të shtetit.
Me rastin e 25-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, ai u shpreh se vendi po hyn në një etapë të re qeverisëse, e ndërtuar mbi parimet e drejtësisë, barazisë dhe përgjegjësisë.
Të lidhura
None found
“Drejtësia është themeli i shtetit të së drejtës dhe garancia më e fortë për barazinë e qytetarëve. Marrja e këtij resori nënkupton përgjegjësi për të çuar përpara reforma të thella në sistemin e drejtësisë, për ta kthyer besimin e qytetarëve te gjyqësori dhe institucionet, për të garantuar zbatimin e plotë të të drejtave kushtetuese e gjuhësore që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit”, theksoi Mexhiti.
Sipas tij, Ministria e Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive dhe Ministria e Kulturës do të luajnë një rol të rëndësishëm në rritjen e kohezionit shoqëror, në promovimin e natyrës multietnike të shtetit dhe në ruajtjen e identitetit kulturor të shqiptarëve. Ai shtoi se, bashkë me resorët e Çështjeve Evropiane, Ekonomisë dhe Mjedisit Jetësor, këto ministri do të ndihmojnë në përshpejtimin e integrimit evropian të vendit.
“Ky rikonfigurim përfaqëson edhe një konsolidim të plotë të përfaqësimit të VLEN-it në Qeveri. Një VLEN i konsoliduar në Qeveri nënkupton më shumë unitet në vendimmarrje, më shumë efikasitet në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve dhe më shumë përgjegjësi në përmbushjen e zotimeve tona ndaj qytetarëve”, përfundoi Mexhiti.
