Meta uron presidenten e re të Maqedonisë së Veriut: I bindur që do t’i japë një impuls të ri marrëdhënieve dypalëshe

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka uruar me një postim një faqen e tij zyrtare të “Facebook” presidenten e re të Maqedonisë së Veriut, e cila fitoi në zgjedhjet e mbajtura një ditë më parë.

Meta shkruan se është besimplotë që Gordana Siljanovska Davkova, do t’i japë një impuls të ri marrëdhënieve dypalëshe në funksion të perspektivës së integrimit të përbashkët dhe sa më parë në Bashkimin Europian.

Postimi i Metës:

Urimet më të përzemërta për përmbushjen me sukses të detyrës së lartë, Presidentes së parë grua të zgjedhur në Maqedoninë e Veriut, znj. Gordana Siljanovska Davkova.

Besimplotë se do të luajë një rol shumë të rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera fqinjësore mes dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe në përmirësimin e bashkëjetesës ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.

Jam i bindur se Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, do t’i japë një impuls të ri marrëdhënieve dypalëshe në funksion të perspektivës së integrimit të përbashkët dhe sa më parë në Bashkimin Europian.

Falenderoj Presidentin Pendarovski për bashkëpunimin e shkëlqyer që patëm gjatë ushtrimit të detyrës time si President i Republikës së Shqipërisë, për angazhimin e tij në respektimin e të drejtave të shqiptarëve, faktor shtetformues në Maqedoninë e Veriut, për qëndrimet e hapura, të drejta dhe parimore që mbajti kundër “Ballkanit të Hapur”, si dhe për mbështetjen e palëkundur ndaj “Procesit të Berlinit”.