Meta nga Qytet Studenti: Liri-demokraci, jo më vonë, por tani

Kreu i shtetit Ilir Meta, në ditën e Rinisë ka zhvilluar homazhe te busti i Azem Hajdarin te Qytet Studenti, ku 31 vjet më parë u rrëzua regjimi komunist.

Gjatë komunikimit për mediat, Meta u pyet për situatën në PD e cila është partia që ka qenë themeli i pluralizmit, ndërsa sot është e përçarë.

Presidenti tha se nuk ndodhet aty për t’u marrë me çështje të tilla, e rëndësishme është që liria, demokracia të kthehen në shinat e duhura.

“Në fund fare liri-demokraci, jo më vonë por tani” e mbylli komunikimin e tij Meta.

“Jam këtu për të kujtuar lëvizjen studentore, në mënyrë të veçantë Azem Hajdarin, i cili pati një rol kyç në ato momente kritike të historisë së Shqipërisë. Është koha që të rikthejmë Shqipërinë në shinat e vërteta të lirisë dhe të të drejtave.

Nuk dua që këtë moment ta shfokusoj me çështje të tjera, unë jam në dispozicionin tuaj për çështjet që ju ngritët, përqendrohuni në pozicionin zyrtar që mbajti dje presidenca. Kam një përshëndetje për të gjithë studentët e tanishëm, ne presim shumë prej tyre, në udhëheqjen e proceseve demokratizuese në Shqipëri.

Nuk jam këtu për t’u marrë me çështje të tilla, e rëndësishme është që liria, demokracia të kthehen në shinat e duhura, në fund fare liri-demokraci, jo më vonë por tani”, tha Meta./albeu.com


Shtuar 8.12.2021 11:44