Meta dhe Berisha “bashkohen” në Shkodër

Pas vizitës së Sali Berishës në Shkodër, ku mbajti një takim me demokratët atje, dhe zhvilloi homazhe për ndarjen nga jeta të të futbollistit shkodran, Ramazan Rragami, edhe presidenti Ilir Meta e ka vizituar qytetin.

Meta gjithashtu mori pjesë në homazhet e zhvilluara për ndarjen nga jeta të futbollistit shkodran, Ramazan Rragami dhe ka ndarë edhe një koment në Facebook-un e tij.

Në mesazhin e tij në rrjete sociale, Meta shkruan se trashëgimia e Rragamit në sport do të shërbejë si frymëzim për fëmijët dhe të rinjtë.

“Nuk mund të mos vija sot në Shkodër për t’i dhënë lamtumirën e fundit, futbollistit legjendë të Vllaznisë dhe Ekipit Kombëtar, trajnerit dhe profesorit të paharruar Ramazan Rragami. Ndava me familjen e tij të dashur, miqtë, bashkëlojtarët, dashamirësit dhe komunitetin shkodran ngushëllimet më të sinqerta dhe më të ndjera për humbjen e këtij personaliteti, që do të na mungojë të gjithëve dhe me të cilin pata privilegjin të njihesha nga afër.

E kam të vështirë ta kuptoj një vizitë në Shkodër pa e takuar Ramazan Rragamin, po jam i bindur që kjo legjendë si gjithë legjendat do të mbetet gjithmonë në memorien tonë. Sa herë të kujtojmë atë barazim historik në dhjetor ’67, që skualifikoi nënkampionët e botës do të kujtojmë Ramazan Rragamin dhe shokët e tij të skuadrës, që i dhanë emër dhe famë Shqipërisë në Europë.

Sa herë të kujtojmë arritjet e “Shpresës” tonë do kujtojmë Ramazan Rragamin, arkitektin e kualifikimit të saj në 8-të më të mirat e Europës. Trashëgimia e tij sportive do të shërbejë përherë si frymëzim për fëmijët dhe të rinjtë, që me punë, pasion dhe dashuri për sportin të mund të bëjnë vepra të mëdha dhe të pavdekshme. Gjithmonë do ta kujtojmë me dashuri futbollistin dhe trajnerin kampion, por mbi të gjitha do të na mungojë njeriu superkampion i vlerave më të mira qytetare dhe kombëtare”, shkruan Meta./albeu.com/


Shtuar 16.01.2022 14:36