Meta: Demokracia në vend është në gjendje problematike

Presidenti Ilir Meta ndodhet sot në Korçë, ku ka dekoruar katër të përndjekur politikë, simbole të rezistencës antikomuniste; Ylber Merdani, Shpresa Ballolli Merdani, Nevruz Golka dhe Petrit Bazelli.

Në një prononcim për gazetarët, Meta ka komentuar situatën aktuale politike në vend.

Kreu i shtetit tha se demokracia është në gjendje problematike pas 25 prillit, duke shtuar se janë mundësitë e rivendosjes së plotë të saj.

“Situata me demokracinë në vend është në një gjendje problematike, nuk është si do të donin shumë përshirë edhe mua pas 25 prillit, por padiskutimin është më mirë se para 25 prillit, në kushtet e mungesës së një parlamenti kushtetues e funksional, zero opozitës. Aktualisht pas 25 prillit, janë mundësitë për rivendosjen e plotë të demokracisë, për një parlament funksional dhe ai është qëllimi im kryesor.” u shpreh Meta.

I pyetur nga gazetarët për betimin e qeverisë së re, “Rama 3”, Presidenti tha se është i hapur për të përmbushur të gjitha detyrimet kushtetuese.

“Në çdo moment jemi të hapur për të përmbushur të gjitha detyrimeve kushtetuese. Parlamenti i ri ka nisur punë dhe uroj të jetë sa më funksional dhe demokratik. Natyrisht edhe qeveria e re duhet të fillojë sa më parë, me kontrollin e parlamentit,” tha Meta. /albeu.com

 


Shtuar 17.09.2021 10:52